Një aksident me pasoja të rënda do të mund të kishte ndodhur sot në Elbasan. Sipas përshkrimit që i bën ngjarjes një prej të rinjve të përfshirë në aksident, është e vështirë të flitet për aksident në një kohë kur kushtet në të cilat është lënë hekurudha flasin për vdekje të paralajmëruara.
Një nga të rinjtë e aksidentuar, Alban Pira, shkruan:
Sot në hyrje të Metalurgjikut në Elbasan gati sa nuk na vrau treni edhe pse ne jemi një vend ku nuk ka as tren dhe as shina: Madje edhe kur mora në telefon policinë u habitën dhe po pyesinin për cilin tren e kam fjalën?! Kështu për mungesë sinjalistike kanë vdekur dhe po vdesin përditë njerëzit nëpër rrugët e Shqipërisë. Siç mund të shihet këtu nuk ka asnjë tabelë dhe aq më pak një tra që të mbyllet kur të kalojë treni. Sikur të mos mjaftonte, pamja është e bllokuar nga ferra, shkurre, ndërtesa të braktisura dhe reklama të firmave private (banorët thanë se është një firmë private ajo që e ka hapur këtë rrugën në mënyrë të jashtëligjshme për të transportuar materiale ndërtimi).
Ne vdesim sepse paratë që paguajmë për të ndërtuar rrugë dhe vepra të tjera publike shkojnë në xhepat e maskarenjëve me pushtet politik. Unë nuk kisha asnjë faj, po ecja me 10 km në orë dhe kam ndaluar sapo kam parë trenin që ishe vetëm 20 m larg, të mos kisha ecur dhe gjysëm metër mbrapa kjo do të kishte përfunduar në tragjedi. Unë dhe shokët që ishim sot bashkë në makinë nuk do ta harrojmë dhe nuk do ta falim kurrë këtë që ndodhi sot. Nesër do të shkoj për të denoncuar Autoritetin Rrugor Shqiptar (qeverinë) që është përgjegjëse për sinjalistikën rrugore dhe pasi të hetoj edhe pak do të denoncoj edhe korporatën Victoria Invest (privatin). Është qeveria e cila në bashkëpunim me një grusht pronarucësh po na vjedh, po na shkatërron vendin dhe në fund fare na merr edhe jetën.
PS: Ne jemi të gjithë ashtu siç dukemi, si kokrra e mollës, prandaj nuk ka vend për t’u shqetësuar por vetëm për të menduar dhe për të vepruar në mënyrë që aksidente të tilla të mos ndodhin më. Kush ka ndonjë ide sesi mund të rregullohet makina sa më shpejt dhe një ofertë konkrete sesa kushton riparimi i saj të më kontaktojë.