“South Outdoor Festival” nis sot në një nga fshatrat më piktoreskë të Shqipërisë së Jugut, i njohur për ujin e kristaltë, plazhin e mrekullueshëm dhe natyrën mbresëlënëse, Borsh.
Vizitorët e shumtë që do shijojnë këtë festival do kenë mundësi të shijojnë dhe një mjedis të pastër, pasi aksi nacional në Borsh ndryshoi brenda 24 orëve nga një vend i ndotur me plehra të lëna nga piknikët e vizitorëve, në një peizazh të pastër nga institucionet përkatëse.
”E pastruam përmes programit “Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve dhe Parandalimi i Mbetjeve Detare në Ballkanin Perëndimor” GIZ dhe sot është gati për të pritur ashtu siç duhet të gjithë miqtë e një festivali shumë të bukur që fillon sot. South Outdoor Festival sjell një larmi aktivitetesh, edhe mjedisore, gjatë gjithë fundjavës. Ejani, argëtohuni dhe mos harroni: Mbani pastër mjedisin, që ta gjeni sërish pastër”, shprehet zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi.
Ky festival është festa e gjithçkaje që mund të shijoni në natyrë, sport, kulturë, traditë, muzikë dhe kulinari. Vendi i festivalit do të jetë mes fushave të Groove Olive, 400 metra nga bregu, në rrugën e shtruar që të çon në det.
Janë 32 aktivitete të ndryshme në natyrë, pranë brigjeve të kaltra të Jonit, që ky festival prezanton në edicionin e tij të tretë.
Një koleksion i mrekullueshëm i talenteve muzikore, me akte dhe skena shumë më të mira se shumica e festivaleve të lirë, do të performojnë çdo ditë, ndërsa birra, vera dhe shitësit e ushqimeve do të jenë në dispozicion për të gjithë pjesëmarrësit.