Pavarësisht ashpërsimit të masave ndëshkimore për shkelësit e rregullave dhe aksioneve të pretenduara të Policisë, ulja e aksidenteve me pasoja nuk po ndodh, përkundrazi ngjarjet tragjike në rrugë janë shtuar.
Vetëm në dy muajt e fundit në periudhën shtator-tetor kanë humbur jetën si pasojë e tyre 35 persona, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ishte 29.
Nga bilanci i shifrave rezulton se, në muajin shtator kanë humbur jetën 20 persona si shkak i aksidenteve ndërkohë që vitin e kaluar numri i të vdekurve nga aksidentet ishte në 9 persona, ndërsa deri në 27 tetor kanë ndodhur 15 aksidente me pasojë vdekje.
Në të gjitha rastet sipas ekspertëve, janë shkelja e rregullave te qarkullimit qoftë nga këmbësorët që presin rrugën jashtë vijave te bardha qoftë nga drejtuesit e automjeteve që ecin me shpejtësi jashtë normave apo përdorin celularëve.
Vetëm mbrëmjen e djeshme, në autostradën Tiranë-Durrës ndodhën 3 aksidente me një të vdekur, ndërsa raste të tilla janë tashmë thuajse të përditshme…