Njëra nga viktimat e aksidentit në Tiranë, Sikela Përroj, vetëm 23 vjeç, ishte nga Shalësi i Cërrikut.
Raportohet se viktima sapo kishte përfunduar studimet për gazetari. Ajo jetonte e vetme në Tiranë pasi familjen e kishte jashtë. 3 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë u plagosën nga aksidenti i mbrëmshëm te mbikalimi i TEG-ut në Tiranë.
Viktimat janë 3 të rinj. Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier, i cili ishte në timonin e “Audit” dhe dy pasagjeret në mjet, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe.
Dy vajzat gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa shoferi 20-vjeçar disa orë më vonë në Spitalin e Traumës. Nga ngjarja mbetën të plagosur 3 persona të tjerë, që udhëtonin me një makinë “Hyundai”. Kjo makinë u godit nga “Audi” i tre të rinjve, pas humbjes së kontrollit.
Makina që drejtohej nga 20-vjeçari u përplas me barrierat mbrojtëse dhe ra nga mbikalimi. Paraprakisht dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara e “Audit”.
Klevis Ruçaj kishte pak më shumë se një vit që kishte marrë patentën. Gjatë kësaj kohe, ai ishte ndëshkuar 5 herë nga Policia Rrugore, në një hark kohor prej 5 muajsh, nga shtatori deri në janar. Në mesin e gjobave që kishte marrë ishte për parakalim të gabuar, moszbatim të sinjalistikës, duke i dhënë makinës ndërkohë që ndodhej në telefon, apo duke i dhënë mjetit e pa siguracion.
Klevis Ruçaj e donte shpejtësinë, e kjo dallohet edhe në videot që i riu postonte në rrjetet sociale. “Mos u shqetëso kur i jap makinës me një dorë, por kur i jap me të dyja”, shkruan ai në videot e postuara në rrjete sociale, ndërsa kilometrazhi i makinës shënon 271 km/h. Një natë më parë, 20-vjeçari dyshohet se ishte me shpejtësi mbi 200 km/h.