Aktori i njohur Florjan Binaj drejt largimit nga Portokallia

Vitin e kaluar portalet nxituan të publikonin lajmin se ai mund të largohej nga “Portokalli”, spektakli i përjavshëm i humorit ku bën pjesë dhe madje është një prej aktorëve më të rëndësishëm tashmë prej 15 vitesh.

Kjo pasi aktori kishte thënë frazën “asgjë nuk është e përjetshme”.

Por tashmë Florjan Binaj i ka planet e qarta dhe sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV tha se ka vendosur “të dalë në pah” i vetëm.

Unë mendoj që nuk është se do ndahem unë për ndonjë arsye parësore apo madhore por mendoj që çdo gjë ka një cikël dhe ka një kohë dhe asgjë nuk është e përjetshme në këtë botë, kështuqë gjërat evolojnë.

Ne ishim askushi, u bëmë dikushi, u rritëm, u bëmë të zotë, u bëmë profesionistë. 15 vjet po ta llogaritësh me 4 vitet e shkollës i bie pak a shumë të kesh bërë 4 universitete.

Ndaj mendoj që për secilin prej nesh vjen një moment që të dalë më vete dhe të shndrisë veç.

Kjo nuk do të thotë detyrimisht që të shkëputesh nga andej, ne mund të vazhdojmë edhe me projekte të tjera paralele për tu dalluar edhe më shumë personalisht.

Binaj tha se ka në plan disa projekte televizive dhe teatrore, çka do të thotë se shumë shpejt do të mund ta shohim aktorin mbase në një format krejt të tijin televiziv.

Por së pari ai po mendon të përballet me publikun në teatër dhe dëshiron që të sjellë së shpejti një shfaqje “Stand up Comedy”.

Po patjetër, ka ardhur momenti që të bëj jo një por disa projekte televizive dhe teatrore.

Kam menduar edhe një shfaqje “Stand Up Comedy” që dua shumë ta bëj sa më shpejt por ndonjëherë të dalin ca gjëra të vogla që futen si pykë dhe duhet të rrish të zgjidhësh këto.

Kam përshtypjen që së pari do vijë ose Stand up Comedy ose projekti teatror.

Loading...