Aktorja e mirënjohur shqiptare, Luiza Xhuvani, pak kohë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, regjisorit Gjergj Xhuvani, ka marrë vendimin që të rikthehet në skenë.
Luiza Xhuvani do të vijë në skenë, në një mbrëmje poetike me partnerin e saj skenik, Ndriçim Xhepën.
“Mbrëmë i pëshpërita një ylli” është vepra e përzgjedhur nga aktori i ri, Kristian Koroveshi, që bën bashkë dy mjeshtrat e skenës, Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa.
Njoftimi i plotë: Aktori Kristian Koroveshi me “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” ngjit në skenë Luiza Xhuvani dhe Ndricim Xhepa.
Të enjten në datën 7 nëntor 2019, në orën 19:00 publiku kryeqytetas do të shijojë interpretimin e dy mjeshtrave të skenës, Luiza Xhuvani e Ndriçim Xhepa dhe aktorit të ri më të mirë i vlerësuar me këtë çmim në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, Kristian Koroveshi.
Lirika e dashurisë së Rumit, mishëron njeriun si qenie humane dhe si një vepër e natyrës, vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Tre aktorët e skenës shqiptare premtojnë emocione të papërsëritshme në këtë natë të teatrit të poemës dramatike. Ju ftojmë në një darkë për dashurinë, dialog poetik për jetën dhe një rrëfim i shpirtit.