Aktorja e mirënjohur shqiptare, “Artistja e Merituar” Valentina Caci ndahet nga jeta

Aktorja e mirënjohur shqiptare, “Artistja e Merituar” Valentina Caci u nda nga jeta ditën e sotme.

Si pjesë e trupës profesioniste të aktorëve të teatrit të Korçës, Caci ka pasur shumëllojshmëri shfaqjesh në drama dhe komedi, duke marrë edhe besimin e regjisorëve për role kryesore.

Presidenti Ilir Meta i shprehu sot ngushëllimet familjes për humbjen e artistes së madhe.

“Me trishtim mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktores sonë të mirënjohur, “Artistes së Merituar” Valentina Caci. Me rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, në skenë, dhe veçanërisht në film, Valentina Caci fitoi simpatinë dhe u duartrokit me meritë nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër e kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e kësaj artisteje të madhe, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të saj, si edhe të gjithë artdashësve shqiptarë. E paharruar do të mbetesh e madhja Valentinë!”, shprehet Meta.

Valentina Caci lindi në qytetin e Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në lëvizjen artistike që shpërtheu që në muajt e parë të Paraçlirimit u aktivizua në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore. Ajo ka interpretuar në shumë role si, Ollga në dramën “Makar Dubrava” e Korneiçukut, Kolkoziania në dramën “Rruga e madhe” e Fjodorovit, Gallupkova në komedinë “Kush e ka fajin” e Molinavit, Lumturia në dramën “Të rinjtë” e V. Vinçanit, Lumtua në komedinë “Vajza nga fshati” e F. Gjatës, Veroria në dramën “Këneta” e F. Gjatës, Nafia në dramën “Hijet e natës” e V. Kokonës, Meri në dramën “Rrethimi i bardhë” e N. Priftit, Helena në dramën “Engjejt e skëterrës” e Kantenit, Gruaja në dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit, Luçia në komedinë “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës etj.

Ndërsa për publikun e gjerë ajo njihet me filmat: “Vëllezër dhe shokë”, “Mësonjëtorja”, “Me hapin e shokëve”, “Rruga e madhe”, “Kur çel dashuria”, “Shoqja nga fshati” dhe “Zonja nga qyteti”, etj.

Për kontributin e saj në skenën korçare dhe jo vetëm, aktores Valentina Caci i është dhënë titulli, “Artiste e Merituar”. Homazhet për të do të zhvillohen ditën e nesërme në Teatrin e Korçës “Andon Zako Çajupi” nga ora 12:00-13:00./atsh

Loading...