Olta Dakun jemi mësuar ta shohim gjithmonë shumë të përfshirë në një rol teatri, filmi apo seriali, por shumë rrallë ka ndodhur ta ndodhur të njihemi me vetë Oltën, të zhveshur nga çdo rol.
Gjatë intervistës së fundit me Mira Kazhanin, aktorja e njohur ka folur për të tjera aspekte të jetës së saj, përfshi këtu dhe jetën private. E pyetur nëse momentalisht është në një marrëdhënie dhe ç’mendon për dashurinë, Daku përgjigjet:
“Partner nuk kam, jam vetëm. Nuk e di pse jam vetëm, por jam shumë e zonja për të bërë zgjedhje të gabuara. E gjithë jeta kështu. Kam shumë pengje, vetëm për një njeri.”
Olta do të besonte tek dashuria vetëm nëse do të binte sërish në dashuri, por nëse ka diçka të sigurtë është që s’do të martohet.
“Patjetër, patjetër. Dashuria është gjëja më e mrekullueshme që mund t`i ndodhë dikujt. Sigurisht që kam besuar tek dashuria dhe nuk e di pse më erdhi ky moment këtu që të flas për këtë. Është gjithçka frut i dhimbjes, edhe mosbesimi, edhe besimi. Me thënë të drejtën nuk kam dashur asnjëherë të martohem. As edhe një herë! Domethënë s’e di, është gjëja e fundit që mund të dëshiroj. Mund të ndodhë, por në këtë moment jo. Prej shumë kohësh nuk dua.”- vazhdon ajo.
Pavarësisht kësaj, aktorja shtoi se do të donte të bëhej nënë, por vetëm nëse do të kishte një partner.
“Mënyrat e reja (të një nëne pa partner) i mbështes, thjesht kam frikë. Mendoj që të rritësh një fëmijë vetëm është shumë e vështirë dhe më tremb kjo gjë.”
Përsa i përket anës profesionale, zhgënjimi më i madh i Olta Dakut lidhen me mënyrën e trajtimit të artistit në vendin tonë. Sipas saj përpjekjet për ta janë ende në minimum.
“Këtu kam marrë kënaqësi që nuk ma merrte mendja që do t`i provoja. Fakti është që kam lindur këtu, në një vend që mundohet çdo ditë të imitojë botën e zhvilluar, por vetëm për artistët nuk e bën këtë gjë. Tek artisti, vendi ynë ka vendosur të jetë origjinal. Pra artisti të jetë i mjerë.
Kur kam qenë aktore në moshë më të re, unë nuk e kam menduar që do arrinim kurrë në këtë pikë. Kam hyrë në teatër me sytë gjithë dritë dhe me një shpresë të jashtëzakonshme dhe gati-gati nuk i përfillja shqetësimet, sepse gjithmonë kam menduar që do bëhet më mirë, sigurisht kam qenë edhe më e re. Duke kaluar koha, akoma nuk arrij ta besoj që si mundet të bëhet keq dhe më keq dhe më keq.”- përfundoi ajo.
Projekti i fundit i Olta Dakut është “Nina” seriali që aktualisht po transmetohet në Radio Televizionin Shqiptar, subjekti kryesor i të cilit është një beqare në të 40-at në kërkim të partnerit.