AKU në Shkodër në bashkërendim me Policinë, kontrolloi biznesin “Briland shpk” me aktivitet prodhimin e pijeve alkoolike dhe joalkoolike në Shkodër, veprimtaria e të cilit ishte bllokuar që në 20 shtator 2017, por sipas sinjalizimeve ishte ende aktiv.
Në prani të Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe të avokatit të subjektit, u krye inventarizimi i produkteve ushqimore dhe u konstatuan 44.5 ton produkte verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj, që vërtetuan se biznesi vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit dhe duke shpërfillur Urdhërin e Bllokimit të organit kopetent të sigurisë ushqimore.
Nga kontrolli rezultoi se subjekti kishte prishur shenjat dalluese dhe vulat e sigurisë nga inspektimi i mëparshëm.
Për këto shkelje ndaj subjektit u morën masat e mëposhtme:
Gjobë 100,000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese,
Gjobë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
Gjobë 200,000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për pergjegjesite e operatorit te biznesit ushqimor,
U la në fuqi vendimi i inspektimit paraardhës për ndërprerjen e veprimtarisë së subjektit,
U bë bllokimi i 44,513 litra produkte (ujë, pije alkoolike dhe joalkoolike, lëndë e parë, maja e skaduar etj), dhe u morën 6 mostra për analiza laboratorike.
Nisur nga ky kontroll në “Briland shpk” dhe duke ndjekur sistemin e gjurmueshmërisë për lëndën e parë, AKU kontrolloi edhe subjektin “Ylli Merja” Tiranë, ku konstatoi etiketa që keqinformonin publikun për aspekte të ndryshme shëndetësore.
U konstatuan produkte ushqimore të cilat rezultuan të pa etiketuara apo me etiketë në kundërshtim me ligjin, fasule, sojë, qumësht gomarice, kavanoza me boronicë, caj, uthull me mbishkrime mjekësore, hudhër, arrë kokosi, lajthi, stika, arra etj.
Ambjenti ishte i mbingarkuar me produkte, i pasistemuar, produktet ruheshin në dysheme dhe disa produkte mbaheshin edhe në ambjente sanitare.
Nga verifikimi rezultoi se subjekti operon në këtë adresë i pa pajisur me licencë për aktivitetin përkatës, nuk operon me sistemin e vetkontrollit HACCP, si dhe nuk disponon sistem funksional gjurmueshmërie.
Për shkeljet e konstatuara ndaj subjektit u morën masat administrative:
Gjobë 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse (kategoria II.1.A (1)),
Gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
Gjobë 200,000 lekë për mungesë të planit të vetkontrollit (HACCP),
Gjobë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
Gjobë 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin.