“Krizë brenda krizës” po vjen, paralajmëron Banka Botërore, shkruan BBC. Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, ka paralajmëruar një “katastrofë njerëzore” pasi çmimet e ushqimeve po vijojnë të rriten ndjeshëm që pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ashtu si pandemia Covid-19, tha ai, kriza e ushqimit do t’i godiste më së shumti njerëzit më të varfër në botë, sepse ata “do të hanë më pak dhe do të kenë më pak para për çdo gjë tjetër, siç është shkollimi”.
Në një intervistë me redaktorin e ekonomisë së BBC-së, Faisal Islam, Malpass tha se rezervat globale të ushqimit janë të mëdha sipas standardeve historike dhe ka ushqim të mjaftueshëm në botë për të ushqyer të gjithë, por do të duhet të vendoset një proces për të çuar ushqimin tek ata më në nevojë.
Shefi i Bankës Botërore ngriti gjithashtu shqetësimet për goditjen e “një krize brenda krizës” që lind nga paaftësia e vendeve në zhvillim për të shlyer borxhet e tyre të mëdha krijuar nga pandemia, mes rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
“Afërsisht 60% e vendeve më të varfra tani janë ose në vështirësi borxhi ose në rrezik të lartë për të qenë në vështirësi borxhi,” tha ai.
Ai këshilloi shtetet, veçanërisht ato me borxhe të paqëndrueshme, të veprojnë herët në strategjitë për të ulur barrën e tyre të borxhit.
Malpass paralajmëroi se rritjet rekord të çmimeve të ushqimeve po shtyjnë qindra miliona njerëz në varfëri ekstreme.
“Është një katastrofë njerëzore, që do të thotë se ushqimi po mungon. Por më pas bëhet gjithashtu një sfidë politike për qeveritë që nuk mund të bëjnë asgjë për këtë – nuk e shkaktuan atë dhe shohin çmimet teksa rriten”, tha ai në një intervistë me redaktorin ekonomik të BBC-së, Faisal Islam.
Banka Botërore llogarit se mund të ketë një rritje “të madhe” prej 37% në çmimet e ushqimeve, e cila do jetë shumë e madhe për të varfërit.
“Po ndikon në ushqimet e të gjitha llojeve të ndryshme – vajra, drithëra – dhe më pas futet në kulturat e tjera, të korrat e misrit, sepse ato rriten kur gruri rritet,” thotë ai.
Fokusi duhej të ishte sipas tij në rritjen e furnizimeve në mbarë botën me plehra dhe ushqime, së bashku me ndihmën e synuar për më të varfërit.