Albin Kurti mbledh qeverinë, apel ministrave/ Dilni nga zyrat, qëndroni me qytetarët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se do të punojnë shumë që të realizojnë programin qeverisës dhe t`i përmbushin pritjet e mëdha të qytetarëve.

“Ky kabinet është i qytetarëve dhe ne punojmë në emër të tyre dhe për ta. Ata na e kanë dhënë besimin dhe na e kanë dhënë mandatin dhe presin nga ne që ti realizojmë prioritetet dhe detyrat tona. Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve duhet të jenë motor për punën tonë, prandaj nuk mund të pushojmë derisa ta shpërblejmë besimin e tyre.

100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim dhe përkushtim maksimal. Karriget i kemi, por jam i bindur se më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin. Programi ynë qeverisës është ambicioz aq sa janë edhe pritjet e qytetarëve. Unë nuk kam dyshim se ne kemi aftësinë, guximin dhe aftësitë për të dhënë rezultatet që kërkohen prej nesh.

Sytë e popullit janë tek ky kabinet qeverisës dhe rrjedhimisht tek secili prej jush. Do të ishte mirë që të gjithë ne të mësojmë përmendësh programin tonë që del nga marrëveshja jonë e përbashkët sepse me të do të zgjohemi në mëngjes e më të do të flemë në mbrëmje. Le të bëhemi të thjeshtë e të drejtë ashtu siç i kemi qytetarët tanë që janë aq të mirë.

Ministri i Bujqësisë duhet të kalojë më shumë kohë me femerët se sa në zyrat e tij, e ministri i shëndetësisë më shumë kohë duhet të kalojë me mjekë e pacientë. Pra, jo të rrimë ulur në kolltuqe e të urdhërojmë nga lart, por të zbresim poshtë sa më afër te qytetari sepse atje është e vërteta jonë dhe atje shihen politikat tona. Mandati mund të jetë edhe privilegj, por është mirë që ta kuptojmë si privilegj për të shërbyer e jo për të urdhëruar. Jepni kuptim pozitës së ministrit çfarë ska pasur asnjëherë në Kosovën e pasluftës. Shanset për sukses i kemi të mëdha, por duhet të punojmë si ekip. Sukseset dhe dështimet janë kolektive e jo personale e aq më pak partiake. Partitë i kemi në parlament, atje janë grupet tona parlamentare, këtu punojmë si ekip. Në këtë qeveri nuk do të ketë LVV, LDK, NDS e LS. Do të jemi qeveria e Republikës së Kosovës që punon bashkë për të mirën e përbashkët”, tha Kurti në mbledhjen ceremoniale të qeverisë së Kosovës e cila u mbajt sot, raporton RTKlive.

Tutje kryeministri Kurti ka thënë se dera e tij është e hapur çdo ditë, në çdo orë e çdo minutë. “Asgjë nuk është më e rëndësishme për mua se sa realizimi i programit qeverisës dhe zbatimi i prioriteteve për qytetarët. Qëllimet i kemi të mira, e dëshirat për suksese të mëdha. Energjitë e akumulura në opozitë është koha t’i kthejmë në veprim në qeveri. Mbështetjen e gjeni te unë, e te njëri-tjetri e të njëra-tjetra dhe jam i bindur se tashmë e kuptoni se ky shans është unik për secilin prej jush që të tregoni aftësitë e shkathtësitë tuaja, përkushtimin e ndershmërinë tuaj. Takimet tona do të jenë të shpeshta e të shumta që ta koordinojmë punën e ta rrisim bashkëpunimin ndërmjet vete sepse ministritë janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën e rrjedhimisht puna e secilit prej jush është e ndërlidhur me njëri-tjetrin. Mos të harrojmë se qeverisja jonë është pasqyrë që qytetarët e shohin vetveten. Le të jetë kjo një pamje që ata duan ta shohin sërish e përsëri, e duan ta shohin vazhdimisht”, ka nënvizuar kryeministri Kurti.

Loading...