Në panelin e moderuar nga Peter Kropsch, drejtor i përgjithshëm i DPA-së, njëkohësisht edhe president i EANA-s, ku ishte i pranishëm edhe Gunther Oettinger, Komisioneri i BE-së për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore, folën zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, drejtoresha e ”The First Draft Coalition”, Jenni Sargent si edhe drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi.
Kropsch mbështeti “një rol më të madh të EANA-s në arenën ndërkombëtare dhe sidomos në institucionet europiane për të rritur peshën e saj në komunitetin ndërkombëtar të medias”.
Zëdhënësi kryesor i KE-së, Margaritis Schinas theksoi se “qëllimi ynë është të sigurojmë zgjedhje të lira dhe të drejta europiane, nëpërmjet mbrojtjes së të dhënave, transparencës, sigurisë kibernetike, bashkëpunimit, por edhe me sanksione të përshtatshme që garantojnë respektimin e rregullave nga të gjithë”. Schinas njoftoi gjithashtu përfshirjen e një ndëshkimi financiar për partitë europiane në rast të shkeljes së rregullores së BE-së për mbrojtjen e të dhënave apo nëse përpiqen të ndikojnë në zgjedhje.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi u përqendrua në rolin e agjencive të lajmeve përballë ndikimit social të dezinformimit, një rrezik me të cilin po përballen dhe po kërcënohen pa dallim të gjithë.
“Kjo do të thotë që ne kemi nevojë për një koordinim më të madh dhe më të ngushtë mes nesh si dhe për të luftuar analfabetizmin në internet, i cili po identifikohet gradualisht si shqetësimi kryesor lidhur me përhapjen e lajmit të rremë”, nënvizoi ajo.
Krasniqi vuri në dukje faktin se mediet sociale po bëhen burimi dominues i informacionit për shoqëritë tona, por shtoi se “ka edhe shumë aspekte pozitive të këtyre medieve, siç janë aftësia e tyre për t’u mobilizuar për çështje politike”.
“Askush nuk mund ta mohojë faktin që mediet sociale forcojnë fjalën e lirë në përgjithësi, mundësojnë flukse më të shpejta idesh nga shoqëria në shoqëri dhe rrisin cilësinë e jetës. Por, në të njëjtën kohë, media sociale jo rrallëherë mund të ndikojnë negativisht në debatin publik”, pohoi ajo.
Krasniqi solli në vëmendje të pjesëmarrësve paralajmërimin e KE-së në dhjetor të 2018-ës sipas të cilit, “lajmi i rremë” po ndihmon partitë ekstremiste në Europë duke zgjeruar, ushqyer ankthin rreth migrimit masiv, dhunës etj. Për të gjitha këto arsye, “lajmi i rremë” duhet të konsiderohet po aq i rrezikshëm sa gjuha e urrejtjes ose përmbajtje të tjera të paligjshme.
Sipas saj, fushata e keqinformimit kryesisht synon të krijojë jo vetëm frikë, por edhe trazira sociale dhe ky është aspekti më shqetësues i “lajmit të rremë”.
Në përfundim, Drejtoresha e ATSH-së, Krasniqi shprehu bindjen “në aftësinë e Agjencive të Lajmeve për të shërbyer si një rreze besueshmërie dhe shprese, në një peizazh të ri mediatik që po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga ndikimet malinje”.
Oettinger foli për rëndësinë e medias në shoqëritë demokratike. Komisioneri theksoi vlerën e shtuar që kanë risitë në projektet e medias dhe nënvizoi rëndësinë që kanë për opinionin publik lajmet e besueshme, si ato që sigurojnë agjencitë e lajmeve.
Jenni Sargent, drejtore e menaxhimit në “First Draft” tha se “zgjedhjet europiane përbëjnë një mundësi urgjente për agjencitë e lajmeve që të punojnë së bashku dhe të tregojnë standarde të përbashkëta verifikimi, balancimi dhe transparence, veçanërisht në përballje me dezinformimin”.
Drejtoresha e AFP-së për Europën, Christine Buhagiar dhe Zv/president i DPA-së Matthias Mahn diskutuan mbi rëndësinë e Direktivës së re të të Drejtave të Autorit. Ata paraqitën mënyra nëpërmjet të cilave agjencitë e lajmeve mund të përfitojnë nga konteksti i ri ligjor. “Në thelb kjo do të thotë se botuesit nuk do të jenë në gjendje ta rishesin në Google ose Facebook këtë pjesë të punës sonë”, tha Buhagiar.
Phil Chetwynd, Drejtori i Lajmeve nga Bota për AFP, theksoi se lajmet e përpikta janë në zemër të biznesit të agjencive të lajmeve, ndërkohë që foli edhe për filozofinë e AFP në verifikimin e fakteve. “Keqinformimi nuk do të largohet. Është rëndësishme që të gjitha agjencitë e lajmeve të krijojnë një kulturë të vërtetë verifikimi”, tha Phil Chetwynd.
Stefan Voss, shefi i teknologjisë së DPA-së, bëri të ditur se si kjo agjenci punon për verifikimin e fakteve. “Është shumë e rëndësishme se si t’i përdorësh burimet e tua në njerëz dhe kohë sepse jo të gjitha lajmet kanë nevojë për verifikim faktesh”, tha Voss./atsh/