Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka deklaruar se Shqipëria duhet të marrë përgjigje pozitive në muajin tetor nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave.
E pyetur nga gazetarja Nisida Tufa, në emisionin “Kjo Javë” në News24, nëse në tetor kriza politike do të ketë marrë fund dhe Shqipëria do të marrë “OK” nga BE, ish-Kreu i Shtetit është shprehur prerë se diçka e tillë duhet të ndodhë.
Sipas tij, Shqipëria duhet të marrë përgjigje pozitive në tetor për integrimin në BE, pasi në të kundërt, populli duhet të ngrihet e t’i bëjë zap këta politikanë.
“Them se do të hapen, ndryshe populli duhet të ngrihet e t’i bëjë zap këta politikanë”, ka theksuar Moisiu.
Më tej, në emisionin “Kjo Javë”, Alfred Moisiu foli dhe për mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai është shprehur se Meta nuk mund ta shpërndajë Parlamentin, pasi sipas tij, ai nuk është zgjedhur nga populli, por nga vetë Parlamenti, ndaj dhe e ka të pamundur të marrë një vendim të tillë.
“Ne jemi republikë parlamentare, s’jemi presidenciale apo gjysmë-presidenciale.
Kushtetuta jonë nuk jep kompetencë të tillë. Kjo ndodh kur Parlamenti nuk ka shumicën dhe duhet për ligjet, për të marrë vendime, ndryshe jo. Nuk i krijohet mundësia presidentit të bëjë një akt të tillë. Parlamenti zgjedh Presidentin, nuk është zgjedhur nga populli. Me çfarë të drejte mund ta shpërndajë parlamentin. Kjo më duket e pamundur”, është shprehur ish-Presidenti.
Lidhur me përgjimet e gazetës gjermane “Bild” për vjedhjen e votave nga pushteti socialist në Durrës e Dibër, Moisiu ka folur shkurtër, duke thënë se Prokuroria duhet të kishte vepruar menjëherë.
“Prokuroria duhet të ndërhynte. Duhet të vepronte menjëherë. Edhe mazhoranca duhet të reflektonte. Pushteti gjyqësor nuk pyet as qeveri, as Presidencë, por ne nuk e kemi arritur këtë për fat të keq. Me Reformën në Drejtësi do arrihet kjo”, ka thënë Moisiu.