Nga Gezim Llojdia
Ne nuk e dimë si vdiq poeti.
Me gjuhën e poetit do të shprehem: Ravijëzim në portret. Fytyra e tij regëtinte.
Trupi flinte, mendja dremiste. Deshifrimi: Ekzistenca juaj,është burim i pashtershëm poetësh.
Frymëmarrja e dimrit tek fytyra e zbehtë e poetit lirik ruante kërcënimin e një dihatjeje të vështirë. Trupi nuk ndjente më sëmbimet e zemrës.
Por ajo nuk ndjente më, as klithmën e dalë nga fundi i shpirtit. Frymën e fundit, që kërcënonte dhe e kurthonte me terrin e zi, përgjithmonë e dha në 21 dhjetor.
Pak përpara rënies së acarit së parë të shekullit. Pak përpara ardhjes së dimrit të ftohtë. Ne nuk e dimë si vdiq poeti. Ishte në Tiranë. Dimë, se vdiq në vitin 1966. Dhe asokohe bënte 86 vjeç. Kemi mjaft përshkrime të disa autorëve që kanë jetuar aso kohe dhe e kanë njohur se si poeti përshkonte udhën kur shkonte te Lidhja e Shkrimtarëve në godinën te rruga e Kavajës.
Në rrugë ecte një fisnik me një bastun. Ishte poeti lirik, diplomat, politikan, ish-kryetar i bashkisë të qytetit të Flamurit.
Një përshkrim më të saktë bën shkrimtari Agim Shehu diku në një skicë të tijën. Nga kërkimi nëpër arkiv kemi gjetur një gazetë të zhubrosur, rreth 65-vjeçare, ndërkaq ai i përkiste elitës së shkrimtareve shqiptarë të kohës.
Nuk është e vështirë të imagjinohet se regjimi i vendosur pas çlirimit të vendit kishte 22 vjet. Ali Asllani ishte poeti i shumë këngëve të njohura: Kënga e Luftës së Vlorës” dhe më tej poema: “Hakërrim” krijimi, që lindi nga korrupsioni dhe kontrabanda në administratë, fenomene të rrezikshme që ishin njohur më parë edhe në vende të ndryshme të botës.
Këtë rrezik që i kanosej vendit nga këto fenomene negative dhe që ishin reale gjatë Luftës së II Botërore,i ka pasur mirë parasysh Ali Asllani,kur shkroi poemën Në atë poemë, ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elementëve të pandershëm e të molepsur, që për hir të pasurimit të tyre, brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë, në dëm të atdheut, kombit shqiptar. Prandaj ai do të shkruante:
“Hani pini e rrëmbeni,mbushni xhepe-mbushni arka…
Të pabrekë-ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka…
Hani -pini e rrëmbeni,është koha e çakenjëve,
Hani-pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…
Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,
Dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë…
Dhe për një kërkoni-pesë..por më mirë njëzetë e pesë
Le të rrojë batakçiu, dhe i miri le të vdesë…
Edhe pse ishte nëpunës i regjimit ai i dënonte ato akte që shkonin kundër moralit të tij. Të flasësh për Ali Asllanin, për këtë personaliet të shquar dhe veprën e tij të ndritur, për kontributin që ai ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, e themi me bindje se nuk është shumë e lehtë. Por vepra, që ai ka lënë pas, aq e qartë e kuptueshme dhe shumë e dashur për të gjithë, për të folur diçka nga ajo veprimtari e madhe dhe shumëllojshme, e asaj jete të gjatë, plot brenga, por gjithmonë krenare. Veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë dhe në shumë fusha të jetës politike e shoqërore. Ai dha një kontribut të shquar dhe të pa zëvendësueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat,e në të gjitha këto fusha ku punoi, la gjurmët dhe shkëlqimin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.
Kur vdiq poeti Ali Asllani
Ja njoftimi, që jep, në 25 dhjetor 1966, gazeta e shkrimtarëve të realizmit socialist, “Drita” kur shkruan: “Më 21-XII-1966 vdiq në Tiranë, në moshën 86 vjeç, poeti Ali Asllani, anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve. I shprehim ngushëllimet tona familjes.” Më poshtë, redaksia e kësaj gazete ka vendosur edhe një vjershë si dhe një shënim, ku thotë: “Këtë vjershë Ali Asllani e pat dërguar në redaksinë tonë për botim disa javë para se të vdiste”. Gazeta: “Drita”, 25 dhjetor 1966. Një pyetje e vogël ngrihet. Poezia ishte shkruar në shtator të vitit 1966. Nëse ishte dërguar para disa javëve, përse nuk ishte botuar, mirëpo dihet edhe fakti, që poetin e politikanin ish- kryetarin e bashkisë së Vlorës e ndiqte nga pas hija e mos botimit. Poezia titullohej: “Le të jemi krenarë”. Po e japim të plotë poezinë, shkruar në stilin e tij, por që i kushtohej kohës.
Le të jemi krenarë
Shqipëria jon’ tashi
di të bëjë diell e shi,
di të bëjë shi e diell,
sepse kokën e mban lart,
sepse rrënjët i ka thellë!
Le te jemi, pra krenarë!
Që nga len te perëndon,
e kush është si vendi jonë?
Si në tok’ edhe në det
kemi pjesën më të bukur,
në të bukurin planet!
Le të jemi pra krenarë,
dy milionë thua shqiptarë,
fis fisnik në radh’ të parë,
titan ishim, titan jemi
dhe përhera gjithë titan,
rreptësonet shum’ shqiponja.
kurse matet me tufan!
Shtator 1966.
Dy poezitë e tjera kushtuar sistemit
Të botuara në këtë gazetë në vitin e ikjes së poetit lirik
Në gazetën: “Drita” të vitit 1966 gjejmë edhe dy poezi të tjera, të cilat nuk kanë atë shkëlqimin e dikurshëm të lirikut poet, që ashtu si kishte mbiemrin kishte edhe vargun poetik, asllan. Sigurisht, që në kontekstin e kohës, Asllani ashtu vetëm mund të gjente dyert hapur për autorin e këngës së Vlorës, pra një dritare të vogël botimi. Poeti ishte gjallë, mirëpo poezia e natyrës së tij, mund të thuhet, në këto vite kishte lindur e vdekur. Kur vdiq poeti, këto poezi të kësaj kohe janë anashkaluar me të drejtë, mirëpo për hir të së vërtetës, po i risjellim, 65 vjet më pas. Poeti A. Asllani mbahet mend për lirikat e bukura aq poetike e shpirtërore, saqë një poet i tillë mundi t’i thurte e t’i latonte mjeshtërisht e bukur. Shiko si e thur ai poezinë e lirë, atë që nga shpirti i buron vetë. Ali Asllani, për fshatin, Vajzë:
“Në krye të fshatit ka një deli krua,
Uj’ i tija akull derdhet në përrua
dhe në krahun tjetër varet nga një mal,
një përrua i rreptë me uturim’ e valë
Mu në mes të tyre bregu Allatoj
dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoi
fshati babagjyshi,t fshati më i mirë
nga ata,që thuhen Labëri e lirë!
Aty ndën shkallë blegërin shelegu,
aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku,
rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle,
nën rrap, në hije pleqtë qajnë halle.
Lahure qëndisur bedenë-bedenë
seç i paska hije asaj protone,
asaj protoene me një furk në sqetull,
që e ther e që e gris me sy e me vetull,
andej disa koce shkojnë në krua,
këtej bagëtia varet në përrua,
me kërrabë në dorë një djalosh,
përmbi sy kësulën,vërshëllim përposh…
Ja dy poezitë e tij botuar në gazetën: “Drita”, viti 1966.
E vërteta dërmon hekur
Kur ia bënte pushka vu,
A e dini këto nëna,
luftë me hasmin hundë-hu,
sa kanë vuajtur ato hëna?
Që të sillnin bukë për çeta
shkel e shkuan mbi bajoneta;
Nëpër gjurma të një mushku,
Pinin ujë me fleta dushku!
Herë i thyente poshtë përpjeta,
Herë i thyente tatëpjeta,
E çfarë buke?një kothere!
Me dy grushte manaferre.
Në fshat foshnjat me pahir,
mbaheshin me hirrë dybeku,
dhe si kecër, kec i shtirë
zor ua mbante kokën zverku!
Ja pse njeriu i ri
mbetet hasmi i çakallit.
Lavdi nënës Shqipëri,
gjithë këta fidan flori
sot i ruan si sytë e ballit!
Mijëra shqerra, mijëra ftuja
veshur ngjeshur me tërtër, (fije ari)
u zhvesh pasha me tre tuja,
po u vesh një fis i tërë.
U çel nëna tungjatjeta!
U çel nena djegur pjekur;
Shif!e drejta e vërteta
se si vjen dërmon hekur.
Kënga e një plaku
Them të shkruaj një poemë
Qoft’ lirike, qoft’ epike,
do ma vargjet me derhem,
të mos dalin shtatanike.
Rrëmoj gjurmët titanike,
Dëgjoj këngët heroike,
Dëgjoj këngët, ato këngë,
Këngë e gunave pa mëngë.
A e njihni Arbërinë,
mos ja prekni krenarinë,
tanim na erdhi radha,
e udhëhequr nga një dritë,
Shqipëria monolitë,
merr e jep me re të bardha.
Po ju flas sepse këtu,
treqind muaj edhe t’hu,
e vërteta ja bën, mu.
Vendi ynë tani po thuaj,
di ta ndez dhe di ta shuaj,
le të jetë lumi turbull,
ne do hidhemi përtej,
kjo shqiponjë që di e ngrihet,
e di mirë se ku do vej’.
Pra, poemë e një poeti,
S’do rënkojë paskëtaj
kjo muzikë eterniteti,
do vazhdojë në tel të saj.
Vendi ynë përher’ nerënzë
kurdoherë sumbulloret,
kënga jonë përhera këngë,
sevdallesh e këtij vendi,
veshur petka prej argjendi,
mot e jet do rrotullonet.
Unë me të vërtetë besoj se poezia është forma më e lartë e shkrimit, por poezitë e mësipërme janë thjeshtë një pasqyrë e kohës dhe atij realiteti, gati skematike. Po të shikosh në tërësi krijimtarinë e Ali Asllanit të mrekullon në atë radhitje fjalësh, figurash e strofash që vazhdon magjepsjen me rininë e përhershme të vargut,me finesën estetike e sensualitetin e thellë. Intuita e tij poetike i kapërcen kufijtë e një përpunimi të zakonshëm të ligjërimit artistik,ku shfaqet shfaqet një harmonizim i rrallë për tingëllimin kuptimor,i ngritur mbi themelet e atij leksikor e fonetik. Ai hyri në thellësinë e labirinteve të gjuhës,duke nxjerr në dritë muzikalitetin e ëmbëlsinë e vargut. Me një dorë prej artist endi në tezgjahun e Labërisë duke thurur e bashkuar harmoninë e tingujve,ekspresivitetin e fjalës e vargut,të strofave,e të krejt poezive të veta. Ali Asllani lindi dhe jetoi me poezinë,atë poezi plotë dritë e hije,plot kontraste e antiteza. Kontrastet dhe krahasimet zbulojnë kulmet ideore, që lexuesi të shikojë përmes dritares së mendjes atë forcë që:
sikur një gur stërrall
në gji zjarrin e ka ngjall
qoftë në lum e qoft në det
zjarr i tija nuk humbet!
Ky është vargu i tij, me rrezatim drithërues që, sa të bën për vete, aq edhe të degdis tutje, atje ku përqafohet me jetën, puthet me pëllumbeshën, shullëhet me guguftunë…nusëron me stil të vjetër, po të ndjek me zjarr të ri”, duke u stacionuar në gjirin e poezisë popullore të ngritur mbi themelet e vendlindjes. Këtu mori nektarin e poezisë, përthithi e beri të vetin mençurinë e vargëzimit, ndjeshmërinë e mendimit poetik, psikologjinë, si dhe reflekset e botës shpirtërore, të shfaqura në një sintezë të thellë të urtësisë dhe filozofisë popullore, e kështu duke krijuar atë që Ali Asllani e quan: Poezi e një poeti,-jo, jo këng ‘eterniteti… Mirëpo duke zgjedhur të qëndronte nën një regjim, që nuk e shikonte më sy të mirë, poeti s’kishte rrugë tjetër. N, Jorgaqi ka shkruar rreth kësaj çështjeje Nëse Lasgushi u mbyll nën vetvete, madje edhe ne shkollarët e dinim të vdekur dhe u habitën kur shtypi dha njoftimin për ikjen e tij në parajsë, poeti lirik lab provoi më kot të vazhdonte atë rrugë me poezinë e bukur të tij, poezinë e lirë, të pastër dhe të sinqertë, që e kishte shkruar vite më parë dhe nën një regjim tjetër.
Shumë nga miqtë e tij, i propozuan Ali Asllanit, në përfundim të luftës, që të largohej nga Shqipëria, por ai një gjë të tillë nuk e pranoi. Ja vlerësimi i Ago Agaj nga Smokthina në librin Lufta e Vlorës,1920, faqe 149: “Qofsh i mallkuar-o Ali Asllani, në të dyja jetët -që s’u arratise “bashkë me ne dhe t’i kishe kënduar lirisht, dhe denjësisht këngët e kësaj epopeje…!”.Autori shkruan me respekt për Ali Asllanin, kur përmend atje poemën “Vlora-Vlora” dhe me të vërtetë, në ato vende të lira që Ali Asllani i njihte shumë mirë, patjetër që do të këndonte më shumë e më bukur, asaj ngjarjeje, sepse kushtet andej ishin më të mira e të favorshme për të.
Por ai, si patriot, atdhetar i madh që ishte, nuk u largua nga vendi i tij, duke mbetur kështu, një shembull i shkëlqyer.