Më 28 nëntor 1884 lindi një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, Ali Asllani. Pothuajse askush nuk kujtohet nga entet shtetërore ta përkujtoj këtë burrë të madh, sekretarin e Guvernës së parë shqiptare dhe krahun e djathtë të Ismail Bej Vlorës sot në ditën e Pavarësisë.
Duket sikur një nga poetët më të mëdhenj shqiptar është përjetësisht i mallkuar në harresë. Ende i panjohur aq sa duhet në shkolla dhe për publikun e gjerë. Pa një monografi të reshtur, pa një bust, pa një film dokumentar, pa (qoftë dhe një emision) dinjitoz në ekranet e TV-ëve…
«Jam vlonjat dhe trim me besë,
Reth flamurit di të vdesë,
A me hir a me pahir
Doemos do rrij i lirë. »
Ali Asllani ,Vlorë, 1919
Janë katër vargjet e poezisë së famshme të poetit të madh Ali Asllani që u bënë himni i Luftës së Vlorës kundër pushtimit Italian, të shkruajtura më 1920.
Kjo ishte Marsejeza e pavdekshme e luftëtarëve të Vlorës, që banda muzikore e shoqërisë “Vatra” luante në frontin ku mijra lebër luftonin për çlirimin e Vlorës. Vargjet antologjike ishin shkruajtur prej Ali Asllanit, një prej rilindasve të fundit të Shqipërisë poetit brilant që padrejtësisht gjatë vitetve të diktaturës u la në harresë dhe vdiq pothuajse në mjerimin e plotë të braktisjes. Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko – Halla” që u botua në vitin 1942.
U gjet në dorëshkrim përkthimi i gjysmës së dytë të viteve ’40 të kujtimeve të Syrja bej Vlorës, përkthim i cili nga dialekti i përdorur dhe nga inicialet A.A., mendohet të jetë i Ali Asllanit[3].
Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 – 66 përmendim:
• “Vidi – vidi pëllumbeshë” (1960),
• “Shqipëria kryesorja” (1961),
• “Vajzat dhe dallëndyshet” (1964),
• “Kur merr zjarr rrufeja” (1966) dhe pas vdekjes iu botua
• “Poezia shqipe” 1973.
• Është autori i këngës së njohur “Vlora, Vlora”.
Pas viteve 90 iu botuan disa libra si:
• “Poezi të zgjedhura” në 1996, dhe
• “Vidi, vidi pëllumbeshë” në 1999.
• “Hakërrim”
Do t’i Shtrydh të dy sytë
Un’ jam un’, saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…
Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?
Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!
Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!