Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha në një deklaratë për mediat se krimi ka “marrë dhenë” në vend sepse drejtori i Policisë së Shtetit është i zënë me nënën e 15-vjeçarit të dhunuar.
“2 vrasje mafioze në Krujë, 2 vrasje të njëpasnjëshme në Vlorë, njëra në formën e një atentati mafioz, 2 vrasje për larje hesapesh në Kurbin, shpërthim tritoli nga Tirana në Vlorë, ky është bilanci i policisë së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt brenda 10 ditëve të fundit.
Krimi bën festë, ndërsa policia ka ikur në drejtim të paditur. Krimi e ka mposhtur shtetin, sepse shefi i policisë së Edi Ramës është i zënë duke i bërë gjyqin një gruaje, pasi policia është e zënë duke rrahur fëmijë.
Vrasjet, shpërthimet me tritol, atentatet nuk parandalohen dhe autorët nuk gjenden, sepse policia e Edi Ramës është e zënë me shfaqjet e turpshme me dron antikanabis, që zbulojnë vetëm 30 fidanë, sepse policia nuk lufton krimin, por rreh qytetarët që protestojnë në mbrojtje të Teatrit.”
Alibeaj tha se kryeministri Edi Rama ka dështuar me vendosjen e rendit dhe sigurisë sepse ka ortak në pushtet krimin dhe bandat.