Alimehmeti nis ‘fushatën’: ‘Djegim naftën më të shtrenjtë në Europë, për të marrë rrogën më të ulët’

Mjeku Ilir Alimehmeti, i cili përflitet si një nga kandidatët e Rithemelimit, për të kandiduar te primaret e Sali Berishës për bashkinë e Tiranës, duket se ka nisur ‘fushatën’ në rrjetet sociale. Alimehmeti ka publikuar një foto nga rrugët e kryeqytetit ku shihet trafiku i dendur i makinave, ndërsa shton se çdo qytetar humb të paktën gjysmë orë çdo rrugë që kalon drejt ose nëpër Tiranë.

“Mirmëngjes nga Tirana jonë e bllokuar, pa qenë as ditë shiu, që na humbet të paktën gjysmë ore çdo rrugë që kalon drejt ose nëpër Tiranë! Për më shumë, e gjitha kjo kohë humbet duke djegur naftën më të shtrenjtë në Europë! Dhe, në fund, shkon e punon me nerva që në mëngjes për të marrë rrogën më të ulët në Europë!”, shkruan Ilir Alimehmeti. Pas zyrtarizmit të kandidaturës së Belind Këlliçit, të dielën zyrtarizoi pjesëmarrjen në garë dhe Gert Bogdani, ish deputet i PD.
Ndërkohë, pritet që garës t’i bashkohen dhe mjeku Ilir Alimehmeti, si dhe aktori i humorit, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, Julian Deda. Ndërkohë, mjeku Ilir Alimehmeti do të dorëzojë ditën e sotme kandidaturën për të marrë pjesë në primaret e Partisë Demokratike. Me anë të një postimi në Facebook, Alimehmeti ka publikuar orën 11:00 në të cilën pritet që të dorëzojë në selinë kandidaturën për primaret. Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë shkojnë bashkë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Marrëveshja e kthyer në një “kontratë” bashkëpunimi elektoral mes dy partive u firmos nga dy kryetarët Sali Berisha dhe Ilir Meta. Belind Këlliçi dhe Gert Bogdani janë dy kandidaturat e para nga Partia Demokratike që kanë finalizuar kandidimin për primaret. Deri më tani janë lakuar edhe emra të tjerë për Tiranën si aktori Julian Deda që është njëkohësisht anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Loading...