Alpinistët ngjitje nën stuhinë e dëborës në malin e Kallabakut

Të apasionuarit pas ngjitjeve në mal kanë shijuar fundjavën që lamë pas pamjen mahnitëse që të ofron mali i Kallabakut, 2174 m i lartë.

Pavarësisht motit të keq me reshje intensive dëbore, erë të fortë dhe temperatura që arrinin në -13 gradë celcius, nuk i penguan alpinistët të vazhdonin udhëtimin e tyre drejt majës së Kallabakut.

Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, tha për ATSH-në se “ditën e djeshme bashke me 15 të apasionuar pas alpinizmit ishim në majën e Kallabakut 2174 m. Nisja u bë nga Liqeni i Novosejt në drejtim të Kallabakut, dëbora arrinte deri 60 cm vende-vende deri në 70”.

Sipas tij, për shkak të motit të keq ngjitja ishte shumë më e vështirë se herët e tjera.

Valbona Agalliu, nga Tirana shprehet se “pamja është spektakolare, uroj që këtë liqen ta bëjnë pistë patinazhi në dimër se është fantastike.

Valbona i bën apel të gjithë të apasionuarve pas natyrës të bëjnë guida në male e liqene për të shijuar këtë pamje që sjell ky liqen i ngritë i Novosejit.

“Eksperinecë e paharrueshme, është fantastike, duhet ta vizitojnë më shumë këtë bukuri natyrore”, shton ajo.

Ndërsa Tomorr Kotarja, i cili ishte hera e parë që ngjitej në majën e Kallabakut, u shpreh se bjeshkët e Kukësit janë të rralla, ngjitja është e vështirë me zor dallonim edhe personat që kishim para për shkak të erës së fortë, por kjo nuk na pengoi aspak për të shkuar deri në fund të udhëtimit tonë”.

Drejtuesi i guidës turistike të qytetit të Kukësit, Hallaçi thekson se gjatë vitit 2019 ka drejtuar rreth 30 ngjitje në majat e maleve të Kukës-Has ,Tropojë dhe Kosovë, ku më të shpeshta kanë qenë në zonën e Kukësit si Shishtaveci -Guri Mëngjesit dhe Maja e e Gjallicës, që mbeten në krye të listës së vendeve më të frekuentuara për vitin që lamë pas.

Sipas tij, Kukësi ofron një paketë të plotë turistike, e cila nuk duhet humbur .

“Në Kukës mund të vizitosh shpellën e Jezinës, ku hyrja për në këtë shpellë është shumë e vështirë dhe e frikshme nga lartësia që ndodhet. Kjo shpellë ndodhet në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Konfiguracionet e stalaktiteve në tavanin e shpellës, janë të shumëllojta dhe simbolike. Për t’u përmendur është edhe pika turistike e Pyllit të Mështeknave, ku thuajse çdo ditë janë të pranishëm vizitorë të ardhur nga zona të ndryshme dhe të huaj kryesisht nga Kosova”, – nënvizon Hallaçi.

Hallaçi thekson se “nuk janë vetëm këto pika turistike, është edhe Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit. Një vend tjetër që shumë pak është i promovuar për shkakun se rruga që të çon në këtë vend është amortizuar, është edhe Kanioni i Skavicës, ku kalon edhe lumi Drini i Zi. Aty mund te ushtrohet sporti i rafting apo edhe sporteve të tjera”.

Por, shton ai, nuk mund të lemë pa përmendur edhe zonat e tjera, të cilat ende nuk janë bërë të njohura si Gryk- Cajë apo edhe Fshati-Fshat edhe pse aty janë ndërtuar bujtina nga banorët e zonës, që i kanë dhënë zhvillim zonës në fushën e turizmit.

Sipas tij, këto dy fshatra janë pjesë e Parkut Natyror Korab -Koretnik.

Në stinën e dimrit është pikërisht momenti i përshtatshëm për shfrytëzimin e kohës ideale me borë dhe diell për ngjitje në mal./atsh

Loading...