Altin Dumani merr detyrën si kreu i ri i SPAK

Altin Dumani, prokurori që u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është prezantuar sot zyrtarisht para stafit. Në ceremoni ishte i pranishëm kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla si dhe përfaqësues të ndërkombëtarëve. Vetë Dumani premtoi goditje të krimit të organizuar dhe tha se tashmë SPAK do të kalojë në një tjetër fazë, ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar. Dumani nxiti stafin kur tha se secili prej tyre duhet të demonstrojë që janë të aftë të procedojë penalisht çdo shkelës ligji, pavarësisht pozitës së tij duke mos harruar detyrën.

Pjesë nga fjala e Dumanit:

Këto 3 vite kanë qenë të vështira, secili prej nesh ka pasur kontributet e tij, u shpreh mirënjoheje për angazhimin e sakrificat. Pas këtyre 3 viteve SPAK do kalojë tashmë në një fazë tjetër e që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar. Kemi një prokurori në funksion të plotë. Jemi 17 prokurorë, kemi BKH funksionale dhe kemi fituar eksperiencë në 3 vite. Inkurajoj e nxis secilin prej jush që të gjithë të demonstrojmë si një skuadër e vetme se jemi të aftë të procedojmë penalisht çdo shkelës ligji pavarësisht pozitës së tij, të mos harrojmë detyrën që të kemi një SPAK ku publiku të ketë besim. Ju premtoj që unë do jem në krahun tuaj për sfidat që na presin duke hetuar bashkë me ju e duke krijuar kushtet të ushtroni funksionet të pandikuar nga askush por duke qenë bvesnik vetëm te ligji.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, duke zëvendësuar Arben Krajën në këtë post. Votimi u krye pasi tre prokurorët kandidatë, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili paraqitën platformat e tyre për mënyrën se si do të drejtonin SPAK, si dhe u intervistuan prej anëtarëve të këshillit. Dumani mori pesë vota nga procesi i votimit që u zhvillua në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Kandidati tjetër, Edvin Kondili mori 4 vota, ndërsa Adnan Xholi mori vetëm një votë.

Loading...