Ish-boksieri Luan Krasniqi ka refuzuar propozimin për ambasador të Kosovës në Gjermani.
Krasniqi thotë se nuk është i interesuar për asnjë detyrë, post apo emërim.
Ai konfirmon se do të mbetet sportist teksa uron ambasadorin e ri të Kosovës në Gjermani.
Në fakt, ishte ish-zëvendësministri Gani Dreshaj që propozoi boksierin legjendar, por duket se mbeti vetëm një iniciativë e dështuar.
STATUSI NGA LUAN KRASNIQI
Miq të mi të respektuar,
sot, në shumë portale dhe në disa media elektronike, qenka publikuar një propozim që unë të emërohem ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani. Ju informoj se, unë, tashmë 35 vite, e mbaj me krenari epitetin e ambasadorit sportiv të dhuruar nga aderuesit sportiv dhe me krenari, vendin tim e kam përfaqësuar në sportin e boksit, me të cilin kam përjetuar kënaqësinë duke u ngjitur në piedestalin më të lart të karrierës sportive.
Prandaj, përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dieni. Unë, mbetem i përkushtuar në vendosjen e urave të reja të miqësisë së Kosovës dhe Gjermanisë duke ndihmuar e mbështetur nisma dhe angazhime për të mirën dhe të mbarën e njerëzve, dhe nuk pretendoj asnjë funksion, detyrë apo emërtim, si ky që është dhënë.
Luani, mbetet sportist dhe mik i juaji i mirë.
Ambasadorit të ri të Kosovës në Gjermani, që tash i uroj sukses, kurse Juve, miq të mi, Ju paça të gjithëve me shëndet!
03.09.2021,
I juaji, Luani