“Bashkimi Europian dhe Shqipëria nuk kanë qenë kurrë kaq afër në marrëdhëniet e tyre dypalëshe dhe momenti aktual duhet shfrytëzuar plotësisht”, tha Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, në Qendrën e Politikave të BE-së – një forum i profesionistëve të rinj të përfshirë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, që diskutoi sot në Tiranë për sfidat dhe perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Duke pranuar përparimin e Shqipërisë me reformën gjyqësore dhe vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, punën e madhe të bërë tashmë në komisionin ad hoc për reformën zgjedhore, fokusin e qëndrueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Ambasadori Soreca tha se ka ardhur koha “për të krijuar një platformë, ku të gjitha palët të ulen së bashku dhe të përcaktojnë rrugën e asaj çka duhet të bëhet që tani, deri në qershor të vitit të ardhshëm”.
Një ditë pas Këshillit të 10-të të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së, ambasadori Soreca foli për rëndësinë e vazhdimit të operacioneve të fundit kundër krimit të organizuar, nevojës për një Ministri të Brendshme plotësisht funksionale, si dhe për rëndësinë e një vendimi të fundit të gjykatës shqiptare që tregon se askush nuk është mbi ligjin.
“Hapja e negociatave të anëtarësimit midis BE-së dhe Shqipërisë do të jetë fundi i fillimit dhe jo fillimi i fundit”, tha ambasadori Soreca, duke theksuar nevojën për një rol më të fuqishëm të shoqërisë civile si dhe të burimeve njerëzore të mirëpërgatitura, të nevojshme që procesi i integrimit të ketë sukses.
Mbështetur nga fondacioni “Friedrich Ebert”, forumi mblodhi së bashku një numër zyrtarësh të lartë europianë dhe kombëtarë, ekspertë dhe anëtarë të shoqërisë civile, me qëllim kontributin në diskursin publik mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor me BE-në. /atsh