Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka besim se brenda 31 dhjetorit Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale dhe se për këtë ka marrë dhe fjalën e presidentit Iir Meta dhe Kryetart të parlamentit Gramoz Ruçi.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo thotë se korrupsioni në Shqipëri është një kancer, e se është i tillë si në reputacion ashtu dhe në realitet.
Për këtë aresy ajo thekson se është e rëndësishme që Prokuroria speciale të funksionojë plotësisht, duke vlerësuar veprimet e ndërmarra së fundmi nga SPAK
Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, faleminderit për këtë intervistë. Përgjatë thuajse një viti në Shqipëri, në fokus të deklarimeve tuaja publike ka qenë reforma në Drejtësi.
Së fundmi ju keni folur shpesh për Gjykatën Kushtetuese duke këmbëngulur në nevojën e vënies së saj në funksionim brenda këtij muaji.
Sa realist është ky objektiv, duke patur parasysh se deri më tani është dashur një kohë e gjatë (edhe më shumë se një vit) për vlerësimin e kandidaturave, ndërkohë që dy nga tre vakancat aktuale, nuk ka as tre muaj që janë shpallur?
Ambasadorja Yuri Kim: Së pari, faleminderit për mundësinë për të folur. Dua të kthehem pak pas. E di që njerëzit këtu përqendrohen tek reforma në drejtësi sepse është diçka që iu kap syrin, por dua ta bëj të qartë që përqasja jonë këtu në Shqipëri është më e gjerë se sa thjesht reforma në drejtësi.
Reforma në drejtësi është pjesë e një agjende më të madhe dhe, siç e dinë shumë vetë, ne përqendrohemi tek demokracia, mbrojtja dhe investimet, ose aspektet e bizensit tek ato.
Të gjitha këto pika të agjendës kërkojnë një nivel sundimi të ligjit dhe transparencës, me fjalë të tjera, reformë në drejtësi sepse demokracia ka të bëjë me institucionet por edhe për të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe ju duhet reforma në drejtësi për këtë.
Mbrojtja ka të bëjë me sigurinë. Dhe korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit krijojnë vulnerabilitete për Shqipërinë dhe nuk e duam këtë për një anëtar të NATO-s.
E fundit, për investimet, kur investitorët shohin mundësitë, gjykojnë çështje të trasnparencës, parashikueshmërisë, dhe nëse ka gjykata që janë të afta të japin vendime të drejta dhe transparente.
Prandaj reforma në drejtësi është e rëndësishme dhe mendoj se shumica e njerëzve mendoj, perceptojnë se flas për reformën në drejtësi shumë, sepse atë kanë në mendje. Përqendrohem aty për sa i përket agjendës tani.
Mendoj se njerëzit kanë të drejtë që janë të paduruar. Kanë kaluar katër vite e gjysmë që kur u miratuan ligjet në vitin 2016.
Dhe kur shoh situatën, edhe pse kam më pak se një vit këtu, më duket se nuk është çështje e ligjit apo e teknikaliteteve. Ka të bëjë me vullnetin politik.
Dhe mendoj se pas katër vjet e gjysmë, kur të gjithë aktorët kyç, ata me pushtet dhe përgjegjësi të gjithë kanë shprehur vullnetin politik për të zbatuar reformën në drejtësi, atëhere ka ardhur koha.
Prandaj, 31 dhjetori mund të duket pak rastësor por ka kohë që ecet drejt kësaj dhe më duhet të them që kur ne, nga pikëpamja e ekspertëve, shohim rregullat, kërkesat, opinionet e Komisionit të Venecias, janë dy të tilla në pak muajt e fundit, kur shohim kushtetutën, kushtetutën tuaj pra, standardet ndërkombëtare, kërkesat e BE dhe pritshmëritë tona, nuk ka arsye praktike që të mos jetë e mundur të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri më 31 dhjetor.
Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, duket se po përsëritet e njejta situatë më atë të një viti më parë: një numër i kufizuar kandidatësh, një kandidat që është në të tre vakancat… A është rreziku i një përplasje tjetër mes presidencës dhe parlamentit?
Ambasadorja Yuri Kim: Shpresoj që jo. Mendoj se është pak më ndryshe këtë vit dhe ndryshimi i madh është që njerëzit janë shumë më të paduruar.
Ndryshimi po ashtu përfshin faktin që kemi dy opinione të Komisionit të Venecias që e bëjnë shumë të qartë që të gjithë aktorët ka nevojë të nërmarrin veprime urgjente për të sjellë në punë Gjykatën Kushtetuese. Dhe së fundi, në mars, patëm një vendim të BE për të filluar shqyrtimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në BE.
Pra, këto janë dallime shumë madhore dhe po ju them edhe diçka tjetër.
Në tetor, SHBA dhe Shqipëria nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Ekonomik, i pari i tillë, dhe menjëherë pas një nga kompanitë më të mëdha të botës, Bechtel, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë Shqiptare për Skvicën dhe nëse arrin të realizohet, flasim për një marrëveshje që ka vlerë 600 milionë dollarë, të paktën.
Kjo tregon se çfarë është e mundur kur rregullat janë më transparente. Të tregon se ç’mund të ishte e mundur pasi Gjykata Kushtetuese të jetë në vijë.
Ndaj, mendoj se është me shumë rëndësi që të lëvizet tani.
Është me rëndësi që të ketë veprime pranë fjalëve që njerëzit kanë thënë, lidhur me përkushtimin e tyre politik, vullnetin e tyre politik për të zbatuar reformën në drejtësi dhe për të pasur në punë Gjykatën Kushtetuese. S’ka asnjë arsye pse nuk mund ta kemi.
Zëri i Amerikës: Pra jeni e bindur që mund të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale në dhjetor?
Ambasadorja Yuri Kim: Pra, siç thashë, e kemi parë nga të gjitha këndvështrimet dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos ndodhë.
Mund t’ju them këtë. Kam fjalën e Kryetarit të Kuvendit dhe kam fjalën e Presidentit të Republikës.
Ky President ka qëlluar të jetë një bashkë-malësor.
Edhe ai edhe unë jemi nga mali dhe, kur një malësor të jep fjalën që ka vullnetin politik dhe se është serioz për reformën në drejtësi sa më shpejt që të jetë e mundur, nuk më duhet gjë tjetër më shumë se kaq. Prandaj, po, besoj që do të kemi Gjykatën kushtetuese deri më 31 dhjetor.
Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, ka një kritikë në rritje ndaj institucioneve të Vettingut, edhe nga vetë parlamenti, se nuk po ecin me shpejtësinë e duhur.
Nga ana tjetër, një grup magjistratësh të larguar, po ngrenë padi dhe e kanë çuar cështjen dhe në Strasburg. A ekziston rreziku që procesi të vihet në pikëpyetje?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se çdo reformë e madhe si kjo, sidomos kur ka të bëjë me karrierat dhe reputacionet e njerëzve, gjithmonë i nënshtrohet kritikave.
Ekziston një proces për t’i trajtuar ato nëpërmjet apelimeve dhe mendoj se është ndërtuar në mënyrë të tillë ndaj, nuk jam e shqetësuar.
Jam pak e shqetësuar që duhet të kompensojmë kohën dhe të zëvendësojmë ata që janë larguar sa më shpejt që të mundet.
Prandaj i shihni Shtetet e BAshkuara, por edhe BE-në dhe qeveri të tjera si dhe OJQ që përqendrohen kaq shumë që të futen njerëzit në Shkollën e Magjistraturës për t’u trajnuar, qoftë online apo fizikisht, në disa raste, por aty jemi të përqendruar. Jemi të përqendruar tek rruga përpara.
Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, shpesh, kur keni folur për Reformën në Drejtësi, keni përmendur faktin se sipas jush ajo nuk është e përsosur. Çfarë sipas jush do të mund të ishte bërë më mirë?
Ambasadorja Yuri Kim: Unë jam person shumë praktik dhe kur them diçka të tillë, është që kushdo ta kuptojë që ekziston një pritshmëri realiste për çfarë është e mundur dhe pritshmëria realiste është që kjo nuk do të jetë diçka e shpejtë, nuk do të jetë diçka e lehtë dhe nuk do të jetë diçka e përsosur.
Prandaj këtë nuk e them si kritikë por si përshkrim faktik dhe për të thënë se do të na duhet të punojmë shumë fort dhe se ata që do duhet të punojnë më fort janë shqiptarët, jo të huajt. Megjithatë, tek e fundit, në pikëpamjen time, mendoj se është shprehur shumë qartë në ligje, që ka përgjegjësi që iu përket zyrtarëve të caktuar.
Shihni reformën në drejtësi, katër vjet e gjysmë. Pse nuk ka pasur një Gjykatë Kushtetuese? Nuk është se nuk e duan amerikanët, sepse ne e duam.
Nuk është se nuk e duan europianët, sepse e duan. Sigurisht që nuk është se nuk e duan shqiptarët sepse e duan dëshpërimisht.
Dhe ka njerëz që kanë përgjegjësinë për të ndërmarrë veprime ndaj, prandaj vazhdoj të përsëris se është çështje vullneti politik.
Është koha për të demonstruar se vullnetin juaj politik është i vërtetë dhe t’iu bashkoni fjalëve, veprimet.
Zëri i Amerikës: Ju e përmendët pak më parë korrupsionin. Eshtë një çështje shqetësuese në Shqipëri.
Nëse shohim ligjet, strategjitë e miratuara, ato nuk mungojnë. Çka mungon janë në fakt ndëshkimet ndaj këtij fenomeni.
Dhe pasojat që ka në shoqëri por dhe në ekonomi, dihen. Sa problematike e shihni ju situatën?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj që të gjithë e pranojnë që korrupsioni është një kancer këtu në Shqipëri.
Është në perceptim, por është edhe në realitet. Nëse sheh të gjitha studimet që janë nxjerrë, qoftë Indeksi i Transparencës, apo edhe raportet që nxjerr Departamenti i Shtetit çdo vit, është e qartë që korrupsioni është problem.
Dëgjoj edhe histori këtu. E dini, unë flas me njerëzit. Nuk rri ulur të flas vetëm me zyrtarë të qeverisë.
Përpiqem të dal sa më shumë të jetë e mundur; shoh TV dhe përpiqem të shoh ato që me sa kuptoj pëlqejnë të shohin edhe shqiptarët, dhe përpiqem të krijoj një ndjesi dhe ajo që bëhet e qartë është se realiteti dhe perceptimi është shumë i rrezikshëm.
Prandaj është e rëndësishme që SPAK të funksionojë plotësisht. Siç e kemi parë në javët e fundit, Prokuroria e Posaçme ka deklaruar disa hapa konkrete për çështje me rëndësi dhe tani jemi në proces duke ndihmuar shqiptarët të ngrenë BKH-në, FBI-në e tyre, që hetimet të mund të përshpejtohen.
Zëri i Amerikës: SPAK krijoi pritshmëri të larta. Ka një sërë padish e denoncimesh për shembull për koncensionet e dhëna në shumë sektorë, apo çështje të tjera mbi të cilat janë ngritur dyshime, por ende nuk duket të ketë hetim të thelluara.
Ju keni dhënë mbështetje të hapur dhe besim veprimtarisë së kësaj prokurorie, por, duket sikur po krijohet përshtyja se dhe SPAK, druhet të merret me nivelet e larta…
Ambasadorja Yuri Kim: Armand, më duket se pyetja është nga një javë ose shumë më parë. Sepse ju them, shihni faktet, mos i vini veshin propagandës sepse e di, që shumë njerëz duan të pretendojnë se s’po ndodh asgjë, apo se mund të ndodhë gjë ndonjë herë, dhe se të gjithë duhet ta pranojnë që Shqipëria është e korruptuar dhe jeta kështu është.
Jo, shihni çfarë ka ndodhur javët e fundit, shihni rastet, arrestimet, ndjekjet penale që janë shpallur nga SPAK, nga Prokuroria e Posaçme.
Këto janë me rëndësi. Dhe kuptoj se ka pasur një debat në media sepse në të paktën një rast, të gjithë donin të bënin gjoja dhe të mos thoshin asgjë.
Ka pakëz konspiracion heshtjeje rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Dhe mendoj se ato ditë do të jenë pas nesh por do të thotë edhe që njerëzit duhet të ngulin këmbë. Nuk mendoj që njerëzit duhet të presin përgjithmonë.
Nuk mendoj se njerëzit duhet të presin deri në zgjedhjet e ardhshme për të pasur një Gjykatë Kushtetuese. Ata nuk duhet të presin derisa BE të marrë një vendim, për të pasur sundim të ligjit. Ata e duan tani. Ata e donin një vit më parë.
E donin katër vjet më parë. E donin 30 vjet më parë. Ka ardhur koha. Ka ardhur koha. Mjaft me lojra.
Zëri i Amerikës:: Një masë e përdorur nga SHBA për të luftuar korrupsionin është dhe ndalimi për të hyrë në SHBA apo mohimi ose revokimi i vizave.
SIpas një të dhëne të publikuar shumë kohë më parë, janë afro 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë ndaj të cilëve është marrë një masë e tillë.
A po vijoni ta ushtroni këtë të drejtë, dhe a është zgjeruar kjo listë apo ka mbetur po aq?
Ambasadorja Yuri Kim: Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet në dispozicion për të trajtuar çështjen e korrupsionit sepse është kaq shkatërrimtar.
Dhe shkakton dhimbje dhe frustrim të jashtëzakonshëm të shohim që korrupsioni të mbajë poshtë një vend si Shqipëria. E kam thënë edhe më pare, kur udhëtoj në vend dhe flas me të rinjtë, është frymëzuese sepse janë të zgjuar, janë të angazhuar, kërkojnë mënyra për të edukuar veten dhe vërtet të japin kontribut.
Mendoj se është përgjegjësia e atyre në pushtet për të ndryshuar situatën në Shqipëri, për të larguar korrupsionin, dhe për të siguruar një Gjykatë Kushtetuese deri më 31 dhjetor, për të ndaluar shfajësimet dhe për të krijuar një vend ku të rinjtë të duan të rrinë. Ata janë një thesar dhe mund të jenë një aset gjigand për këtë vend dhe prandaj nxis gjithë kohën.
Nga ana e Shteteve të Bashkuara, ne kemi një fushatë kundër korrupsionit kudo në botë ndaj nuk është se kapemi me Shqipërinë, por sigurisht si ambasadorja amerikane këtu, më duhet të përqendrohem tek ky vend.
Por shpresoj vërtet që njerëzit ta kuptojnë që kjo vjen nga qëllimi që dua të përpiqem t’ju ndihmoj të jeni vendi që duhet të jeni. Shtetet e Bashkuara nuk përpiqen të imponojnë ndonjë gjë, dhe mendoj shumica e njerëzve e kuptojnë këtë.
Zëri i Amerikës: Nëse më lejoni, edhe një pyetje të fundit. Pak ditë më parë, iu përgjigjët një mediaje shqiptare që kritikoi administratën amerikane se bën një sy qorr ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Në fakt, kritika të tilla ka pasur edhe më parë. Si ndiheni për këtë?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se fakti që kemi shpenzuar miliona dollarë në Shqipëri me programet e drejtësisë, bakshkëpunimit të ligjzbatimit, këshillave teknike për ndjekjet penale dhe fusha të tjera, është provë, patjetër, që ne i çojmë paratë aty ku themi.
Iu bashkëngjisim veprimet tona fjalëve. Dhe e di që hera-herës ka frustrim, se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë, ose “duhet të ngrini zërin për këtë apo atë çështje”.
E dini, duhet të kemi prioritete dhe, për fat të keq, nuk mund të bëjmë gjithçka njëherësh. Por, mund të them këtë: përgjegjësia parësore për një vend nuk i duhet lënë kurrë një të huaji. Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë në një pozicion të nderuar këtu.
Është nder i thellë të jem këtu. Dhe është një përgjegjësi e shtuar për ne që të kemi besimin e popullit shqiptar, por, në fund të fundit, nëse shihni kushtetutën e Shqipërisë, nuk ka ndonjë seksion për përgjegjësitë e Shteteve të Bashkuara apo përgjegjësitë e Ambasadës apo Ambasadorit amerikan.
Ka seksione për përgjegjësitë e Presidentit, Kryeministrit, Kreut të Kuvendit, anëtarëve të kuvendit dhe të tjerë që janë zgjedhur në poste nga populli shqiptar në emër të tij dhe që janë zgjedhur në poste me pushtet dhe përgjegjësi.
Ndaj, mendoj se populli shqiptar ka të drejtë që kërkon më shumë veprime, më shpejt nga të gjithë njerëzit që i kanë vendosur në pozicione pushteti dhe përgjegjësie. /VOA/