Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka takuar sot ministrin e Brendshëm, Blendi Çuçin, të cilin e ka uruar për detyrën e re, si dhe i ka thënë se duhet respektuar e drejta e protestës paqësore, referuar protestave të fundit kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja Kim tha se ka rënë dakord me ministrin Çuçi për të forcuar bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për sigurinë dhe sundimin e ligjit.
“U takova me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Më erdhi mirë që mësova se kishte urdhëruar hetime për trajtimin e protestuesve. E drejta e protestës paqësore duhet të respektohet.
Gjithashtu diskutuam rolin e Ministrisë së Brendshëm në zgjedhje. Ramë dakord që të forcojmë bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për sigurinë dhe sundimin e ligjit”, shkroi Kim.