Ndërsa e cilësoi mbrojtjen si një nga prioritetet e shtetit që përfaqëson, ambasadorja Yuri Kim foli në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në News24 edhe për projekte konkrete madhore në fushën e mbrojtjes, siç është stërvitja ushtarake ‘Defender 21’ e drejtuar nga Ushtria e SHBA në Europë me pjesëmarrjen e 30 mijë trupave nga 26 vende të ndryshme.
Kim u shpreh se në Shqipëri do kalojnë 6 mijë trupa, ndërsa sqaroi se kjo stërvitje tregon qartë rendësinë që ka puna e ngushtë me aleatët dhe miqtë e NATO-s për SHBA.
PJESE NGA INTERVISTA
Sokol Balla: Kjo stërvitje ushtarake, nga shifrat që thatë tani, duket mjaft e madhe apo jo? Ndoshta një nga më të mëdhatë?
Ambasadorja Kim: Do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake që do të zhvillohet në Ballkan.
Sokol Balla: Në Ballkan?
Ambasadorja Kim: Po.
Sokol Balla: Pra, cili është mesazhi këtu?
Ambasadorja Kim: Mesazhi është që …
Sokol Balla: … dhe pse në Shqipëri?
Ambasadorja Kim: Do të përfshihen 26 vende të ndryshme që do të dërgojnë trupa. Nuk e di nëse të gjitha do të kalojnë këtu, por 6 mijë do të jenë këtu.
Ajo që do të ndodhë është që stërvitja do të zhvillohet në shumë vende të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri. Edhe vendet e tjera të Ballkanit do të jenë pjesë e stërvitjes dhe deri në Balltik.
Ideja e stërvitjes është të zhvillojë bashkëpunimin dhe ndëroperabilitetin mes aleatëve, që të kemi aftësinë të shkojmë nga Adriatiku deri në Detin e Zi. Pra, është diçka madhore.
Sokol Balla: Po, duket diçka madhore dhe një mur i madh.
Ambasadorja Kim: Po…
Sokol Balla: Si një mur i madh ndaj influencës ruse. Kështu e shoh unë.
Ambasadorja Kim: Ah, thatë mur i madh. Mendova se thatë ecje e madhe, se ashtu do të jetë.
Sokol Balla: Do të jetë një ecje e madhe dhe mur i madh.
Ambasadorja Kim: Mendoj se SHBA, nëpërmjet NATO-s, gjithmonë ka qenë e qartë për rendësinë që ka puna e ngushtë me aleatët dhe miqtë tanë. Jemi të qartë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e bashkësisë ndër-atlantike.
Sokol Balla: Kjo duket se është organizuar shumë përpara se të ndërrohej administrata në Uashington, apo jo?
Ambasadorja Kim: Po, e saktë.