Analisti Mustafa Nano e konsideron protestën e studentëve të bukur e të fisme

Analisti Mustafa Nano e konsideron protestën e studentëve si larg çdo manipulimi politik dhe që bën këtë protestë të bukur e të fisme.

Protestat e studentëve prej katër ditësh në masivitet dhe të vendosur në plotësimin e kërkesave të tyre, a mund të konsiderohen vetëm të karakterit “plotësim kushtesh” dhe “ulje tarifash”, apo ka diçka përtej saj? A mund të ketë elemente të forta të një revolte të brendshme, që në një lloj mënyrë personifikojnë atë demonstrim që shumë qytetarë e mendojnë, por nuk janë në gjendje të grupohen?

Kjo është për t’u zbuluar. Në këtë moment të parë ne jemi të prirur ta mistifikojmë këtë protestë, jemi të prirur t’i veshim asaj tipare e misione që ajo, në të vërtetë, mund të mos i ketë. Fakti që pjesëmarrja ka qenë e madhe dhe që organizimi ka qenë spontan, larg çdo manipulimi politik, e bën këtë protestë të bukur e të fisme. Por këto janë sinjale që nuk kanë ndonjë domethënie kushedi se çfarë. Protesta të tilla të mëdha, të pamanipuluara politikisht, kemi pasur edhe në të shkuarën, siç ka qenë, fjala vjen, ajo kundër përpjekjes për të bërë në Shqipëri demontimin e armëve kimike. Madje, ajo protestë ka qenë më e madhe, e më e fisme, pasi në të u panë njerëzit të dilnin rrugëve me familjet e tyre, pleq, gra, fëmijë.

Çfarë është në vetvete kjo protestë dhe a mund të kthehet në lëvizje? Fakti që studentët dalin masivisht në protestë, pa liderë politikë dhe pa flamuj partie a e bën edhe më të fortë reagimin?

Unë do të uroja që të shndërrohej në një lëvizje. Do doja që ata ta hapnin rrethin e kërkesave, të mos mbeteshin brenda botës së tyre të ngushtë. Unë do doja që ata ta shkundnin shoqërinë shqiptare. Sepse është kjo, për të cilën ne kemi nevojë. Këtë shkundje nuk ka se kush ta bëjë tjetër. Të gjithë faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, politika, media, biznesi, shkollat, feja, elita kulturore, janë pjesë e një sistemi që duhet tronditur. Dhe si të tillë nuk mund të pritet prej asnjërit prej këtyre faktorëve të ndërmarrin nisma që synojnë tërmete. Sepse të gjithë këta janë të kënaqur me status quo-në. Çfarë mbetet është masa e madhe e njerëzve, e cila është e paorganizuar, dhe e papërgatitur të bëjë shkundje të tilla. Masa e madhe është e nënshtruar, gjë që shprehet edhe tek ideja që është përhapur si një flamë se ky vend duhet lënë, nga ky vend duhet ikur. Vetëm studentët janë jashtë sistemit korruptiv, që është ndërtuar në Shqipëri. Vetëm ata mund ta bëjnë këtë shkundje. Nëse ata nuk e bëjnë, atëherë le ta gëzojmë këtë vend kështu si është. Mua më entuziazmuan fillimisht protestuesit. Dhe ende vijojnë të më entuziazmojnë me faktin që protestën duan ta mbajnë të pandotur nga politika. Por puna është se nuk po shoh që të shprehen ide të mëdha e të rëndësishme. Madje, kam frikë se pak kush ndër ata e ka bërë të vetën besimin se ka diçka shumë të rëndësishme që nuk shkon në këtë vend, në këtë moment. Pakkush ndër ta e ka bërë të vetën idenë se dikush duhet t’i dalë zot këtij vendi, dhe se ky dikush duhet të jenë ata, studentët. Unë pres pra që studentët shqiptarë të dalin nëpër rrugë e të thonë me gojën plot e me zërin në kupë të qiellit: Na ktheni vendin që na keni grabitur. Mirëpo kam frikë se kjo është një wishful thinking e imja.

Në anën tjetër kemi qeverinë që ka një taktikë të sajën në lidhje me protestat të cilat në fillim i injoron, pastaj tenton të krijojë përçarje, në fazën tjetër kupton thelbin dhe në fund tërhiqet… Kryeministri Edi Rama ka “vlerësuar” protestën duke ofruar “mirëkuptimin e tij” dhe kërkoi të ulet dhe bisedojë me ta, por të rinjtë që janë shtresa vitale e shoqërisë nuk pranojnë asnjë negociatë, duke vendosur kushte të qarta. Ka mosbesim ndaj institucioneve shtetërore, apo është një revoltë që më shumë se për plotësimin e disa kërkesave është akumulim pakënaqësie?

Duhet të themi një gjë. Është e lehtë dhe e mundshme të protestosh nën qeverinë Rama. Dhe prandaj protestat më të bukura i kemi parë gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit: protesta civile, paqësore, larg dhunës e provokimeve, pa viktima. Asnjë nuk shkon në protestë me frikën se mund ta gjejë ndonjë gjë. Dhe ky është një zhvillim i rëndësishëm. Por thënë kjo, reagimi i Ramës nuk bën më përshtypje. Ai e luajti një herë rolin e kryeministrit babaxhan që “u bë njësh” me protestuesit kundër tij (në rastin e protestës kundër armëve kimike). Dhe në atë rast “i magjepsi të gjithë”. Por historia nuk mund të përsëritet. Atëherë Rama ishte në fillimet e qeverisjes së vet, ndërsa sot ai ka gjashtë vjet që rri në zyrën e kryeministrit. Nga ana tjetër, është marrë vesh që këto qëndrime të Ramës janë shenjë e frikës, dhe jo e mirëkuptimit me protestuesit. Është bukur që ka frikë, por nuk duhet të na e shesë këtë frikë si fuqi për të mirëkuptuar protestuesit. Rama, nëse ka mend për të kuptuar se në ç’gjendje është Shqipëria sot (për faj të tij), duhet të bëjë shumë më tepër sesa kërkojnë studentët. Ai duhet të bëjë atë tronditjen që shqiptarët po e presin nga studentët. Ai duhet të ndahet nga gangot e palaçot, me të cilët po qeveris. Ai duhet t’ia heqë këtyre gangove nga duart partinë socialiste dhe qeverisjen. Ai vetë duhet të heqë dorë nga roli prej showmani mizerabël që po luan prej vitesh, me komunikimin në facebook, në televizionin idiotik ERTV, në studiot televizive të Tiranës, me dhurata që u bën njerëzve në nevojë si babagjysh i Vitit të Ri, apo në ndeshjet publike me gazetarët. Ai duhet ta hapë administratën publike ndaj njerëzve me energji e aftësi, dhe jo ta mbajë atë si pronë të militantëve partiakë. Dhe ta bëjë këtë tronditje jo nga frika e protestave, por nga nevoja dramatike që ka vendi për një shkundje të tillë. A ka ai këllqe të bëjë gjëra të tilla? A është ai i lirë të bëjë gjëra të tilla? Ai ka ai motivimin e duhur? A jeton me këtë nevojë të vendit e të shoqërisë? Nuk besoj. Mua më ngjan me një njeri me mision të mbaruar.

Parë në tërësi, cili do jetë fati i këtyre protestave në të ardhmen? Sepse krahas studentëve, ndonëse në grupime më të vogla, ka edhe shkëndija të revoltës nga qytetarë që preken nga prishja e banesave apo kërkojnë më shumë të drejta. Do ketë një tërheqje të qeverisë për kërkesat “secila të veçanta” apo kryeministri Edi Rama do nxisë ndryshim kursi në mënyrën e qeverisjes? Sepse duket që “piari”, propaganda deri në arrogancë nuk po funksionojnë më.

Protestat e tjera unë nuk do doja t’i ngatërroja me këtë protestë studentore. Ato nuk kanë të bëjnë me ndonjë revoltë qytetare. Ato janë revoltë e grupeve të veçanta, të cilat kanë mirëkuptimin tim në hallin që i ka zënë, por nuk kanë fare simpatinë time. E kam thënë në një rast tjetër se ata njerëz janë lejuar prej qeverive të ndërtojnë pa leje, dhe të ndërtojnë ëndrra mbi ato prona të tyre në harkun e më shumë se dhjetë a njëzet viteve, e në këtë kuptim është e lehtë të përfytyrohet dhembja e tyre. Por në të njëjtën kohë, kush ka ndërtuar pa leje, në kohë paqeje apo në kohë të trazuara, ai është për mua një qytetar i padenjë. Atyre mund t’u dhembë prona që po u prishet, por edhe mua si qytetar më dhemb xhepi im si taksa pagues, teksa më kërkohet që të paguaj për dëmshpërblimin e tyre. Ndërsa studentët janë ngritur në protestë për një çështje që në pamje të parë ka të bëjë vetëm me ta, por në thelb na përket të gjithëve. Edhe sikur kjo protestë të mbetet një protestë ngushtësisht studentore, ajo prapëseprapë nuk është vetëm e tyrja. Edukimi i gjeneratës së re na përket të gjithëve. Përveç kësaj, kjo protestë ka prodhuar edhe ca shpresa për një tronditje. Shpresa të tilla nuk i ngjallin dot as protestuesit e Unazës së Re, as protestuesit për taksën e Rrugës së kombit.

MAPO

Loading...