Prof.Dr.Adrian Civici*
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Rënia e Murit të Berlinit e përballi Shqipërinë dhe vendet e tjera ish-socialiste lindore me një fenomen të ri historik: tranzicionin nga ekonomia e planifikuar dhe centralizuar, drejt ekonomisë së tregut. Disa tentativa të pjesshme drejt kësaj rruge kishin ndodhur edhe më parë – Jugosllavia në vitet 1960-80-të, RDGJ, Çekosllovakia, Hungaria e Polonia në vitet 1960-70-të – rruga e re e nisur dukej plot me të panjohura. Një shprehje e ekonomistit rus Zinoviev në vitin 1990 që përpiqej t’i jepte një sens tranzicionit, bëri xhiron e botës: “Ne po fillojmë një histori të re, por nuk po e fillojmë atë nga fillimi, por nga fundi. Ne do të jemi në fillim, vetëm në fundin e saj…”. Vështirësia më e madhe qëndronte në mungesën totale të një “teorie tranzicioni”, të studimeve e analizave për këtë fenomen të ri dhe krejtësisht të pastudiuar. Për të kuptuar ku ndodhej Shqipëria dhe vendet ish-komuniste në vitet ‘90-‘91, vlen një deklaratë e M.Candesy, shefi i FMN-së, i cili në një takim me kryeministrat e këtyre vendeve tha: “Është një gropë shumë e madhe që nuk kalohet dot me dy kërcime, sepse nuk ke ku e mbështet këmbën, pra duhet bërë një hop i madh. Nuk kemi asnjë teori tranzicioni dhe asnjë libër se çfarë duhet të bëjmë në këtë periudhë. Mendojeni veten si aktorë, autorë, regjizorë të një vepre që quhet tranzicion”.
Një shprehje e ekonomistit rus Zinoviev në vitin 1990 që përpiqej t’i jepte një sens tranzicionit, bëri xhiron e botës: “Ne po fillojmë një histori të re, por nuk po e fillojmë atë nga fillimi, por nga fundi. Ne do të jemi në fillim, vetëm në fundin e saj…”.
Asnjëherë në histori nuk ishin angazhuar në mënyrë paqësore dhe me vullnet të plotë politik e social kaq shumë institucione, programe reformash intensive e radikale, nuk ishin implikuar kaq shumë ndryshime në raportet sociale, në format e pronësisë, në marrëdhëniet e punës, pagës e fitimit, në rrishpërndarjen e pasurisë, etj. Tre dekada mbas fillimit të këtij procesi, pranohet se “tranzicioni drejt ekonomisë së tregut dhe demokracisë parlamentare është historia më e veçantë e ndryshimeve institucionale, ligjore e sociale në kuadrin e një operacioni radikal të inxhinerisë ekonomike e politike”. Mungesa e një teorie të përgjithshme tranzicioni, e një manuali udhërëfyes për rrugët dhe reformat kryesore ishte problemi më i madh për aktorët politikë e socialë të çdo vendi, aq më tepër në një vend totalisht të izoluar nga bota, siç ishte Shqipëria e fillimit të viteve 1990-të.
Në kontekstin e historisë moderne, “tranzicioni” apo “transformimi radikal i vendeve ish-socialiste”, dukej më i vështirë se 4 transformimet e mëdha që kishin ndodhur përpara tij: transformimi klasik, që nënkuptonte zgjerimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe kapitalizmit në vitet 1860-1920; transformimi neoklasik që kishte të bënte me konsolidimin e kapitalizmit në vendet perëndimore në periudhën 1945-1990-të; reformat drejt tregut të aplikuara nga vendet jo socialiste apo komuniste në Afrikë, Amerikën latine e Azi në vitet 1960-1980-të. Tranzicioni post-komunist po paraqitej si etapa e pestë e transformimeve të mëdha që po ndodhnin në botën lindore sovjetike, por me një ndryshim të rëndësishëm ndaj tyre. Ndryshe nga katër transformimet e tjera, në të cilat reformat ekonomike nuk ishin shoqëruar me reforma politike po kaq radikale, politikat e tranzicionit në Europën qëndrore e lindore prekën njëkohësisht të dy sistemet, atë ekonomik dhe atë politik, fenomen që e bëri shumë të vështirë “tranzicionin”. Shpesh të krijohej përshtypja, se reformat politike dhe ato ekonomike, të simuluara dhe nga veçoritë specifike historike të vendeve të ndryshme, ishin në garë, në konkurencë të fortë dhe në mjaft raste në armiqësi me njëra-tjetrën.
Por, pavarësisht specifikave e kapaciteteve potenciale institucionale e humane të çdo vendi, fillimet e tranzicionit i përballën gjithë këto vende me një “platformë e teori dogmatike” të servirur nga disa prej institucioneve kryesore ndërkombëtare, veçanërisht FMN dhe Bankës Botërore, të cilat këmbëngulnin dhe bënin gjithë presionet e nevojshme politike e financiare në emër të një rruge të vetme tranzicioni: reforma në kuadër të “Konsensusit të Washingtonit”.
Në Shqipëri, identifikimi i reformave të tranzicionit u bë e qartë vetëm mbas “Marrëveshjes me FMN” në vitin 1992, dhe pothujase pa ndërprerje deri në vitin 2017, “udhërrëfyesi i FMN” ishte baza e politikave tona të tranzicionit: stabilizimi, liberalizimi dhe privatizimi, si kushte të domosdoshme dhe të mjaftueshme për një tranzicion të suksesshëm.
Debati më i madh që përfshiu Shqipërinë dhe vendet e tjera lindore në fillim të viteve 1990-të, kishte të bënte shpejtësinë dhe gjerësinë e reformave. Në vitet 1992-95, pyetja më frekuente që bënte politika, media, shoqëria civile, akademikët e intelektualët në përgjithësi ishte “cila është zgjidhja më e mirë ekonomike, politike e sociale: ndërmarrja e gjithë reformave me shpejtësi maksimale, për t’i përfunduar ato sa më shpejt … apo realizimi gradual afat-gjatë i tyre? Grupimet politike u ndanë në dy pole: përkrahësit e “terapisë së choc-ut” dhe “gradualistët”. Por, realiteti shqiptar nuk ishte dhe nuk u zhvillua kaq bardhë e zi.
“Është një gropë shumë e madhe që nuk kalohet dot me dy kërcime, sepse nuk ke ku e mbështet këmbën, pra duhet bërë një hop i madh. Nuk kemi asnjë teori tranzicioni dhe asnjë libër se çfarë duhet të bëjmë në këtë periudhë. Mendojeni veten si aktorë, autorë, regjizorë të një vepre që quhet tranzicion”
M.Candesy, shefi i FMN-së
Mbështetësit e “terapisë së choc-ut” këmbëngulnin në domosdoshmërinë e realizimit të shpejtë të reformave… sa më e shpejtë dhe globale të ishte reforma ekonomike, aq më të mëdha ishin shanset për të minimizuar kostot ekonomike, politike e sociale të procesit të tranzicionit dhe evitimit të problemeve kronike me natyrë makroekonomike. Shembujt “pozitivë” që servireshin në favor të terapisë choc ishin rastet e Polonisë së qeverisë Mazowiecki, e cila në bashkëpunim të ngushtë me FMN arriti të liberalizonte çmimet, të realizonte një politikë monetare shtrënguese dhe të eleminonte plotësisht subvencionet; shembujt e qeverisë Gaidar në Rusi me privatizimet e shpejta të ndërrmarjeve shtetërore; shembulli bullgar e çekosllovak, etj.
Nënvizohej dhe “zgjidhja e problemit ideologjik”: vullneti i qeverive të reja post-socialiste për të ndërrprerë përfundimisht çdo lidhje me të kaluarën socialiste sovjetike. Leszek Balcerowicz, Zv/kryeministër i Polonisë, një nga mbështetësit kryesorë të terapisë së choc-ut, nënvizonte rëndësinë e “kushteve fillestare të reformave”, duke tërhequr vëmendjen në faktin se mbas shembjes së komunizmit kishte ardhur koha për një “extraordinary politics”, gjatë së cilës, elitat e vjetra politike duhet të diskretitohen dhe popullsia të tregohet e gatshme të pranojë reforma radikale, megjithëse një pjesë e tyre mund të jenë të dhimshme. Një tjetër “justifikim” i përkrahësve të terapisë së choc-ut ishte nevoja për shkatërrimin e lidhjeve perverse ndërmjet politikës dhe ekonomisë, ndërmjet qeveritarëve të lartë dhe aktivitetit ekonomik e financiar, të cilat rrezikonin të turbullonin ecurinë normale të reformave liberalizuese.
Nepotizmi i trashëguar nga periudha komuniste, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, bënte pjesë në kulturën e përditshme, si dhe krijimi i “oligarkëve” të cilët mund të përfitonin nga kaosi i fillimit të reformave dhe paqartësitë në realizimin e tyre duke ushtruar presion e korrupsion mbi qeverinë, në emër të privatizimeve dhe pozitave monopol në treg, si dhe duke “kontrolluar politikën” në emër të fitimeve dhe mbështetjes në votime për parti të caktuara. Fatkeqësisht, Shqipëria, jo vetëm që nuk arriti dot sukseset e shpresuara, por në shumë aspekte u bë vendi “model” i këtyre fenomeneve negative, vendi ku lulëzuan korrupsioni, informaliteti, kontrolli i shtetit dhe politikës nga oligarkët, privatizimet e dyshimta e klienteliste, mbështetja okulte e politikës te “të fortët” dhe oligarkët lokalë, etj.
Përkrahësit e reformave graduale evokonin probleme të vështira për t’u kapërcyer, që kishin të bënin me terapinë e choc-ut: ulja drastike e të ardhurave reale për shumicën dërrmuese të popullsisë, rënia e ndjeshme e prodhimit dhe kërkesës së brendshme, papunësia në rritje, zgjerimi i pabarazive, zgjerimi i korrupsionit dhe klientelizmit politik, etj. Ata rekomandonin politika stabilizimi dhe liberalizimi më graduale në emër të qetësisë dhe barazisë sociale, në emër të privatizimeve dhe liberalizimeve më të qeta e të arsyeshme, në funksion të interesave të shumicës së popullsisë. “Sa më radikale që të jenë privatizimet dhe liberalizimi i tregtisë, aq më radikal do jetë recesioni ekonomik, aq më e largët do jetë vendosja e ekonomisë së tregut funksionale e efiçente”.
Përvec gradualitetit dhe zgjatjes në kohë të reformave, gradualistët insistonin edhe në çrolin primar të Shtetit në këtë proces. Sipas tyre, Shteti duhet ta udhëhiqte procesin e zhvillimit ekonomik dhe mbrotjes sociale, duhej të luante një rol parësor në zhvillimin e infrastrukturave, në përmirësimin e sistemit arsimor e shëndetësor, etj. Gradualizmi dhe prezenca e Shtetit do ta ndihmonte popullsinë t’i kuptonte më mirë reformat, të kontribuonte më shumë dhe në mënyrë më të ndërgjegjshme në realizimin e tranzicionit drejt ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit. Hipoteza e “big bang” përfaqëson rrugën më të vështirë, pothujase të pamundur për të realizuar njëkohësisht me “një goditje të vetme” reformën administrative, institucionale, politike, ekonomike e sociale.
Por, në vitet 1992-1995, përtej kësaj dileme radikale të përgjithshme, politika shqiptare, shoqëria civile dhe debati akademik e shkencor u përballën dhe me një sërë pyetjesh e pikëpyetjesh, në dukje “me natyrë teknike”, por në fakt, me natyrë politike strategjike:
–Privatizimet duhej të realizoheshin përpara stabilizimit dhe liberalizimit, apo pas tyre?
-Duhej të liberalizoheshin njëkohësisht çmimet dhe tregtia e jashtme, apo në kohë të ndryshme?
-Ndërrmarjet duhej të ristrukturoheshin dhe pastaj të privatizoheshin apo duhej ndjekur rruga e kundërt: privatizim-ristrukturim?
-Duhej luftuar menjëherë inflacioni apo kjo duhej bërë në mënyrë graduale?
-Duhej adoptuar menjëherë një kurs i lirë këmbimi monedhash apo duhej mbajtur i kontrolluar për një kohë akoma më të gjatë?
-Duhej pranuar rënia drastike ekonomike në vitet e para të tranzicionit apo duhej menduar për një periudhë reformash të zbutura në emër të ruajtjes së disa treguesve ekonomikë të periudhës socialiste?
-Duhej dëgjuar e zbatuar 100% receta e FMN, megjithë egzistencën e shumë kritikave për këtë formulë, apo duhej marrë më shumë në konsideratë eksperienca e vendeve të tjera ish-socialiste?
Në Shqipërinë e viteve të para të tranzicionit mungonte eksperienca dhe informacioni i duhur për t’iu përgjigjur saktë e në mënyrë efiçente këtyre pyetjeve madhore. Rruga që u ndoq ishte pranimi pa asnjë kusht i paketave të reformave të sugjeruara nga FMN dhe Banka Botërore. Adhurimi jonë politik e shoqëror për perëndimin, ekonominë e tregut të lirë dhe kapitalizmin errësoi çdo dyshim apo debat mbi tranzicionin dhe politikat për zbatimin e tij. Që nga marrëveshja e parë me FMN në gusht të vitit 1992, e deri te marrëveshja e fundit e mbyllur në vitin 2017, thelbi i politikave të tranzicionit në Shqipëri, pavarësisht nëse në pushtet ishte qeveri e majtë apo e djathtë, bazohej në “recetat dhe rekomandimet e FMN-së”. Momemtet më delikate dhe ngjarjet më të shënuara të qeverive shqiptare ishin vizitat e misioneve të FMN-së, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre, vizitat dhe takimet e Ministrave të financës dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në Washington, nënshkrimi i memorandumeve e marrëveshjeve të përbashkëta me FMN.
Ndryshimet politike të viteve 1991-92 të shoqëruara me vendosjen e sistemit parlamentar shumëpartiak, i hapën rrugën fillimit të transformimit radikal të ekonomisë shqiptare. Dy vitet e para të tranzicionit përbëjnë periudhën më të vështirë të ekonomisë shqiptare që prej vitit 1950-të: PBB ra në 50%, rritja ekonomike arriti një shifër negative rekord prej -13%, çmimet e produkteve bazë ushqimore u rritën 5-6 herë vetëm brenda vitit 1991, prodhimi industrial dhe bujqësor pothuajse u paralizuan, defiçiti buxhetor e kaloi shifrën prej 50% te PBB, inflacioni u rrit me ritme galopante duke arritur në 400 % në fund të vitit 91, borxhi i jashtëm u rrit mbi 600 milion US$, papunësia kapi nivele mbi 50% të popullsisë së aftë për punë, etj.
Reformat e para u përqëndruan në shkrirjen e sektorit kooperativist dhe ndarjen falas të tokës bujqësore në favor të popullsise rurale – aprovimi i “ligjit për tokën” në 19 korrik 1991 i cili parashikonte shkatërimin e kooperativave bujqësore; shpërndarja falas e tokës për anëtarët e këtyre kooperativave në varësi të disponibilitetit të tokës dhe numrit të anëtarëve; përjashti i çdo mundësie që ish-pronarëve t’i kthehej fizikisht toka sipas pronave të para vitit 1944 dhe reformës agrare mbas luftës së dytë botërore; përjashtimi i të huajve nga mundësia e blerjes së tokës; krijimin e një agjensie kombëtare privatizimesh, kryesisht për sferën e shërbimeve – u parashikua që vetëm gjatë vitit 1992 të dilnin për privatizim mbi 25000 objekte të vogla e të mesme tregtare, artizanale, etj.
Në 1990, Shqipëria dispononte një sipërfaqe toke bujqësore prej 700 000 hektarësh të ndarë ndërmjet 160 fermave shtetërore dhe 492 kooperativave bujqësore me një sipërfaqe mesatare prej 1040-1070 ha. Mbas zbatimit të Ligjit 7501 për privatizimin e tokës bujqësore, brenda më pak se dy vjetësh, struktura e tokës ndryshoi rrënjësisht duke kaluar në një sistem privat të përbërë prej 467 000 mikro-fermash me një sipërfaqe mesatare prej vetëm 1.3 ha secila, por edhe kjo e shpërndarë në 1.8 milion parcela. Mundësitë për të pasur një bujqësi të zhvilluar, të mekanizuar, një sistem ujitës efiçent, një treg toke aktiv e efiçent apo një sistem të qartë pronësie, u kufizuan në mënyrë drastike. Zgjidhja e problematikës së ish-pronarëve mbeti vazhdimisht një gangrenë e pashërueshme dhe bllokuese për zhvillimin e modernizimin e bujqësisë. Asnjë vend tjetër i Europës qëndrore e lindore nuk kishte bërë një reformë dhe privatizim kaq radikal të bujqësisë.
Faza e privatizimeve të mëdha duhet të fillonte mbas vitit 1992, mbasi të përfundonte dhe transformimi i ndërmarrjeve të mëdha shtetërore në shoqëri aksionere; ristrukturimi i disa prej ndërmarjeve kryesore industriale për t’i përgatitur për privatizim; inkurajimi i krijimit të ndërmarjeve të reja private; liberalizimi i çmimeve duke përjashtuar një “shportë” të disa ushqimeve bazë si vaji, buka, sheqeri, etj.; zhvleftësimi i lekut dhe vendosja e një përqindjeje këmbimi reale; liberalizimi i tregtisë së jashtme dhe vendosja e një tarife unike doganore prej 10%. Në janar 1991, Shqipëria aderon në FMN dhe përfiton një kredi stand-by, e cila i hapte rrugën dhe burimeve të tjera të financimit. Në prill 1991, Shqipëria bëhet anëtare e Bankës Botërore e cila ofroi ekspertizë për sektorin bankar dhe atë agro-ushqimor. Në 9 tetor 1991, Shqipëria hyn në BERZH duke lehtësuar së tepërmi hyrjen e financimeve të huaja. Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e BE. Kjo periudhë u shoqërua dhe me një ndihmë masive nga komuniteti ndërkombëtar
Rezultatet e para pozitive u shfaqën në fillim të viteve 1993–95. Kjo u shfaq në shumë tregues: rritje ekonomike 9.6% në 93 dhe 13.4% ne 95; rënie evidente e inflacionit nga 236% në 92, në vetëm 6 % në 95; rritje e lehtë e eksporteve (+ 29% në 95 në raport me vitin 92). Në përgjithësi, përsa i përket indikatorëve kryesorë makroekonomikë, Banka Botërore dhe FMN-ja ishin të kënaqur për respektimin e kritereve të tyre të axhustimit strukturor: kontroll i masës monetare dhe të defiçitit buxhetor, eleminimi i hiper inflacionit, papunësi në rënie, përqindje këmbimi të lekut me devizat e tjera te stabilizuar, çmime të liberalizuara, etj. Edhe bujqësia, e quajtur “motori i zhvillimit”, me rritjen e saj prej 18.5% në 92 dhe 13.2% ne 95 dëshmonte për këtë fillim të ringritjes së ekonomisë shqiptare, që gjithsesi afishonte shifra kaq të larta dhe për faktin se baza e krahasimit ishte periudha më e keqe e saj, vitet 1990-91.
Procesit të privatizimit iu hap “drita jeshile” në vitin 1991, me ligjin nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës prívate, nismës së lirë, veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit” dhe më pas, me ligjin nr.8306, datë 14.3.1998, “Për privatizimin e sektorëve me rëndësi të veçantë të ekonomisë”. Privatizimet duhet të përfshinin çdo gjë që Shteti e konsideronte pronë të tij, dmth, ndërrmarjet dhe shoqëritë, tokën bujqësore, trojet dhe pyjet, shtëpitë, dyqanet dhe magazinat, shërbimet sociale, transportin, etj. Në themel të procesit qëndronin tre fjalë kyçe: prona private, inisiativa e lirë, procesi i privatizimit. Në këtë kontekst, çdo pjesë e pronës publike në Shqipëri do t’i nënshtrohej privatizimit. Privatizimi u konceptua dhe zbatua si transferim i tre llojeve të drejtash nga shteti tek sektori privat: të drejtës së pronësisë; të drejtës së përdorimit; të drejtës së zhvillimit. Në Shqipëri, procesin e privatizimeve mund ta ndajmë në tre etapa: dekada 1990-2000, ku u privatizuan ndërmarrjet e vogla e të mesme; periudhën 2001-2013, ku u bënë masivisht privatizimet e mëdha dhe strategjike, dhe periudhën 2013 e në vazhdim, në të cilën u përmbyll kapitulli i privatizimeve.
Shqipëria realizoi reformat drastike drejt vendosjes së ekonomisë së tregut. Përballë dy alternativave të mundshme në rritmin dhe gjerësinë e reformave: “tranzicion gradual” apo “terapi choc-u”, Shqipëria ndoqi rrugën e tranzicionit radikal. Mbështetësit e variantit apo politikave neoliberale që përfaqësoheshin nga PD dhe PR, u pozicionuan në favor të “Terapisë së choc-ut” dhe efekteve që do sillte “shkatërrimi krijues” dhe liberalizimi i gjerë në të gjitha fushat, do të krijonte një “ekonomi tregu efiçente dhe funksionale”. Sipas mbështëtesve të kësaj teorie në “qeverinë Meksi”, masat në lidhje me stabilizimin dhe liberalizimin si dhe sigurimi i rritjes ekonomike mund të merreshin automatikisht e pa ndërhyrjen e shtetit, nëpërmjet fuqizimit të strukturës ekonomike si pasojë e zhdukjes së shpejtë dhe masive të operatorëve inefiçentë. Mekanizmat e tregut kishin mundësinë, që “me një goditje të vetme” të siguronin një alokim efikas të burimeve dhe ta çonin ekonominë drejt një rritjeje të qëndrueshme. Realiteti shqiptar dëshmoi për rezultate të kundërta. Sektorë e degë jetike të ekonomisë u shkatërruan e braktisën pa patur mundësi të rikuperohen, qoftë dhe për një periudhë afat-mesme.
Grupimi tjetër politik, forcat e majta, PS dhe PSD, shprehej në favor të një zgjidhje më “gradualiste e regulacioniste” duke preferuar një ritëm reformash më të ngadaltë e të “kontrolluar nga lart” me synim, krijimin e një “ekonomie mikse dhe ekonomi sociale tregu”. Sipas tyre, fillimisht duhej të ndërtoheshin institucionet që garantonin mbrojtjen sociale dhe punësimin dhe pastaj të vazhdohej me reformat ekonomiko-financiare radikale. Shteti nuk duhet të tërhiqej nga jeta ekonomike, por thjesht duhet të ndryshonte modalitetet e ndërhyrjes në të. Ekonomia mund të vazhdonte edhe shumë vite të zhvillohej nëpërmjet ekzistencës në nivele të barabarta të sektorit privat dhe atij publik.
Reformat ekonomiko-financiare të ndërmarra gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri, mund të përmblidhen në:
– politikë monetare restriktive, të shoqëruar me krijimin e një banke qëndrore të panvarur; krijimin e disa bankave tregëtare të nivelit të dytë; zgjerimin e shërbimeve bankare dhe eleminimin e exedentit financiar të trashëguar;
– politikë buxhetore rigoroze, të realizuar nëpërmjet suprimimit të sistemit të subvencioneve shtetërore;
– ndërtimi i një sistemi të ri fiskal dhe tatimor si dhe kontrolli rigoroz i inflacionit;
– liberalizimi i tregut të brendshëm të kapitaleve, ku spikasin masat e vendosjes së konvertibilitetit real të monedhës kombëtare;
– krijimi i një tregu efiçent kapitalesh, krijimi i bazave të nevojshme juridike për funksionimin e tregut të kapitaleve;
– liberalizimi i tregtisë së jashtme, nëpërmjet suprimimit të monopolit shtetëror; braktisje e sistemit të tregëtisë me klering, mbështetjen e sipërmarjes private në këtë fushë,etj.;
– rritja e ofertës së brendshme, të përqëndruar kryesisht në reformën e çmimeve dhe eleminimin e rritjes fiktive të tyre si pasojë e mungesës se ofertës së brendshme në sasinë e kërkuar nga tregu; nxitja e prodhimit të brendshëm industrial e bujqësor, etj.
Sot, duke analizuar tranzicionin shqiptar, po bihet dakort gjithnjë e më shumë se Shqipëria nuk e zbatoi në mënyrë të pastër e rigoroze, as terapinë e chok-ut dhe as gradualizmin, por zbatoi një tranzicion të tipit “stop and go”, pra “ec dhe ndalo”, duke alternuar periudhat e zhvillimit me kriza të njëpasnjëshme. Për këtë arsye, në literaturën dhe studimet dedikuar “tranzicionit të vendeve ish-sovjetike”, Shqipëria konsiderohet si një “rast specifik” me tranzicion të vështirë, të dhimbshëm nga pasojat sociale e ekonomike, të shoqëruar me kriza të forta politike, ekonomike e sociale. As terapi choc-u, as gradualizëm i mirëfilltë, por një version tranzicioni të tipit “stop and go”, të karakterizuar nga luhatje të mëdha ndërmjet krizave dhe periudhave pozitive të ecjes përpara dhe zhvillimit.
* Prof. Dr. Adrian Civici është Dekan i Fakultetit të Shkencave Ekonomike në Universitetin Mesdhetar të Tiranës. Ai mban titullin doktor në shkencat ekonomike (ENSA, Montpellier, Francë, 2002) dhe doktor në Ekonomi Agrare (Universiteti Bujqësor i Tiranës, 1993). Nga viti 2011, mban titullin “Profesor” në shkencat ekonomike