Anglia ‘hap thesin’, media britanike zbulon detajet e reja nga marrëveshja për transferimin e ‘çunave të Londrës’ drejt Shqipërisë

Referuar marrëveshjes shqiptaro-britanike për transferimin e të burgosurve nga Anglia drejt Shqipërisë, qeveria e Sunak do t’i dhurojë vendit tonë 15 makina elektrike dhe 22 mikrobusë.

E përditshmja britanike “The Telegraph” ka publikuar imazhe të flotës së mjeteve që në total ka kushtuar 1,5 milionë paund.

Media në fjalë raporton se “Ministria e Drejtësisë britanike ofroi 15 makina elektrike dhe 22 mikrobusë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit të burgjeve në Shqipëri, pjesë e një marrëveshjeje që do të kthejë 200 nga kriminelët më të dhunshëm në këtë vend për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare. Mjetet janë pjesë e paketës totale prej 4,4 milionë paund, që do të ofrohen për të rinovuar burgjet shqiptare, për të rritur sigurinë, workshop-et, stafin, pajisjet rehablituese dhe trajnimin e gardianëve”.

Britania gjithashtu po paguan 4 milionë paund të tjera në vit për kthimin e të burgosurve në Shqipëri, përfshirë 17 persona të dënuar me burgim të përjetshëm. Midis të identifikuarve që do të kthehen në atdhe është edhe Koci Selamaj, 36 vjeç, vrasësi i mësueses 28-vjeçare Sabina Nessa. Ai u dënua me 36 vite burg për vrasjen e kryer në një park në juglindje të Londrës. Ai ka vuajtur deri më tani vetëm dy vite të dënimit, çka do të thotë që Britania e Madhe do ta paguajë Shqipërinë 400,000 paund për 34 vitet e mbetura të burgut.

Ministria e Drejtësisë tha se marrëveshja do të kursente paratë e taksapaguesve britanike. Kjo pasi mesatarisht Londrës i kushton 40,000 paund në vit për të strehuar një të burgosur në Angli dhe Uells. Kostoja vetëm për Selamajn do të shkonte në 1,9 milionë paund, nëse marrëveshja nuk do të ishte nënshkruar.

Detaje të reja nga kontratat e qeverisë, të publikuara këtë muaj,tregojnë se 500,000 paund janë shpenzuar për 15 automjete elektrike, ndërsa 22 mikrobusë të rinj do t’i ofrohen shërbimit të burgjeve të Shqipërisë, me një kosto prej më shumë se 1 milion paund.

Qeveria e konsideroi ofrimin e mjeteve elektrike si “pjesë e lëvizjes drejt emetimeve ‘net zero’ dhe është pjesë e një nisme më të gjerë gjelbërimi”. Pasi shpalli marrëveshjen në maj, Alex Chalk, Sekretari i Drejtësisë, tha se “publiku pret që kriminelët e huaj duhet të vuajnë dënimet e tyre jashtë shtetit, jo në burgjet tona në kurriz të taksapaguesve”.

Ai premtoi se marrëveshja “do të përshpejtojë largimin e shkelësve dhe do t’u japë viktimave besimin se kriminelët e rëndë do të vazhdojnë të përballen me drejtësinë dhe të kalojnë pjesën e mbetur të dënimit të tyre pas hekurave”.

Loading...