Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Opinion” theksoi se tender me dokumente të falsifikuara si rasti i tenderit të “Unazës së Re” të Tiranës, ka në gjithë botën, por qeveria bëri atë që nuk është bërë kurrë më parë, e kaloi kompaninë në procedim ligjor.
“Tenderi në fjalë është një tender i bazuar në ofertën e falsifikuar të një kompanie. Kujtoj se përpara disa vitesh u shit një nga asetet më të rëndësishme të Shqipërisë me tender të falsifikuar. Diferenca është që për Albpetrolin qeveria nuk bëri asnjë reagim madje nuk mbajti garancinë, asgjë. Ndërkohë që ne e para e punës, që në momentin që doli në media, iu drejtuam shtetit amerikan dhe i kërkuam të na informojë për autenticitetin e atij pretendimi dhe e dyta, të na mundësojë përmes kanaleve zyrtare se kush janë ata që fshihen pas këtij operacioni me letra”, – theksoi Kryeministri.
Këto, tha ai, duhen thënë edhe për t’i dhënë fund abuzimeve se pas tenderit është Edi Rama apo Damian Gjiknuri.
“Kemi hartuar padi penale për ofertën, kemi nisur procedurën e sekuestrimit të garancisë prej 2 milionë euro dhe këtë do e shndërrojmë në fond për familjet në nevojë. Kemi marrë avokat për të hartuar një kërkesë gjyqësore për dëm moral ndaj qeverisë shqiptare”, – theksoi Rama.
Kjo, përfundoi ai, është tashmë çështje drejtësie. “Ndërsa ne jemi marrë me protestën këto ditë, është ngritur KLGJ dhe KLP dhe do ngrihen strukturat e hetimit të posaçëm dhe gjërat do të marrin rrugë për shumë probleme në këtë vend”, – theksoi Rama. Atsh