Apeli i babait nga Vlora: Djalin dua ta çoj tek fshati SOS, s’kam kushte për ta rritur

Selim Tartaraj vetëm 7 vjeç banon në fshatin Ramicë rreth 50 km larg nga qyteti i Vlorës. Selimi në moshën 2 vjeçare u braktis nga e ëma pasi ishte me probleme të shëndetit mendor, nga ajo kohë për të voglin është kujdesur gjyshja e tij që sot nuk jeton më. Babai dhe gjyshi i Selimit kanë kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare sepse dëshira e tyre është ta dërgojnë të voglin në fshatin SOS për shkak të pamundësive ekonomike dhe kushteve të jetesës që kanë. Në intervistë për gazetarët e Fiks-it, një i afërm i familjes së 7-vjeçarit thotë se Selimi ka njohur si nënë vetëm gjyshen e tij dhe se kur mbaron shkollën ai shkon tek varri i gjyshes së tij.

Babai i Selimit 7-vjeçar thotë se ka qenë i martuar 2 herë. Nga martesa e parë ka 3 fëmijë dhe pasi e shoqja ndërroi jetë fëmijët i dërgoi në fshatin SOS, ku jetojnë atje prej 16 vitesh. Më pas u martua dhe nga martesa e dytë erdhën në jetë Selimi dhe motra e tij 5 vjeçare e cila është dërguar që në ditën e tretë të lindjes në shtëpinë e fëmijës në qytetin e Vlorës. Selimin e rriti gjyshja e tij, pasi ajo ndërroi jetë në muajin gusht të vitit 2022 për të voglin kujdeset babai dhe gjyshi i tij. Babai tregon se jetojnë vetëm me pensionin që merr i moshuari, pasi në zonën ku ata jetojnë është shumë e vështirë të punësohet në një punë të përhershme. Ai kërkon që 7-vjeçarin ta dërgojnë në shtëpinë e fëmijës “Fshatin SOS” pasi kushtet e jetesës për të do të jenë më të mira.

Orjeta Mishtaku drejtoresha e Shërbimit Social në bashkinë Selenicë tregon se institucioni i tyre është në dijeni të historisë së Selimit dhe herë pas here janë përpjekur t’i qëndrojmë pranë me ushqime dhe me çdo gjë tjetër. Në lidhje me situatën e tij ajo tregon se janë në proces plotësimi dokumentacionesh.Gjithashtu ajo thotë se kanë bërë një kërkesë para shumë kohësh për ta dërguar në fshatin SOS, por është refuzuar si pasojë se e gjithë qendra ishte në rikonstruksion. Dosja për momentin po punohet nga punonjësi i bashkisë në zonën e Ramicës dhe sapo të jetë e plotësuar rasti do të kalojë në komision për zgjidhje.

Redaksia e emisionit Fiks Fare referoi rastin e 7-vjeçarit pranë kabinetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky institucion në përgjigje të tij tha se përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Sociale te Bashkisë Selenicë dhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror Vlore kanë bere vlerësimin socio-ekonomik te familjes. Gjithashtu, stafet e shërbimeve sociale po asistojnë duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm në pamundësi nga ana e kryefamiljarit. Bëjmë me dije se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po e ndjek me prioritet rastin e fëmijës duke vlerësuar interesin më të lartë të tij dhe djalit së shpejti do t’i garantojmë kujdesin më të mirë dhe shërbimet e munguara./ Fiks Fare

Loading...