Apeli i ISHP-së: Prindër, vaksinoni foshnjet sipas kalendarit

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë apel këtë të martë për vaksinimin e popullatës. ISHP u drejtohet sidomos prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit, si dhe udhëzimeve të këtij institucioni për grupet më të rrezikuara.

Grupmosha më e prekur prej kësaj sëmundjeje infektive janë foshnjet nën dy vjeç, që përbëjnë rreth 45.1 për qind e rasteve të konfirmuara, pjesa më e madhe e të cilave në kryeqytet.

Por, ISHP-ja thekson se duhet të vaksinohen edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit, apo që nuk kanë marrë dy doza të vaksinës.

“Vaksinimi ndaj fruthit, – thuhet në deklaratën e ISHP-së, – është mbrojtja më e mirë për ta parandaluar atë dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, vaksinimi bëhet edhe më i rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e fruthit”. /atsh/

Loading...