Apeli i Piperos: Po preken edhe moshat e reja, ju lutem na dëgjoni, maskë e distancim

Mjeku i njohur i Infektivit Pëllumb Pipero u ka bërë një thirrje qytetarëve që përballë situatës ku ndodhemi me rritjen e numrit të rasteve me COVID cdo ditë e më shumë dhe fataliteteve, të zbatojnë masat anti-COVID, maska, distanca dhe higjiena.

“Tashmë nuk ka më të panjohura të mëdha, por kujdes i madh. Maska është mjeti kryesor mbrojtës, më pas vjen distanca, atje ku nuk ruajmë distancën duhet të vendosim maskën, më pas higjiena, por kryesore është maska dhe distanca. Ju lutem, ju lutem, ju lutem respektoni masat”.

Pipero tha se Infektivi është në kapacitet maksimale për shkak të shtimit të rasteve në javët e fundit. “Numri i rasteve të infektuara dhe të sëmurë nga COVID dhe të shtruar është shtuar, jemi në kapacitetet maksimale. Dinamika e rasteve është e ndryshme. Kemi raste, mesatarisht mesatare të rënda, dhe të rënda, kemi edhe mjaft në shërim e sipër, 14-15 janë në terapi intensive. Krahas të shtuarve pozitive, kemi edhe të shtruar”.

Por a ka më kapacitete shëndetësia shqiptare në rast të një skenar të paparashikuar? “Tashmë mjekësia shqiptare i ka kapacitetet për të përballuar cdo skenar të mundshëm, por do të dëshironim të mos vendosim në dispozicion të tjerë, por nuk të sëmurë të tjerë. Mjekësia ka pak në dorë, më shumë kemi ne që duhet të ruhemi.

Maska dhe distanca dhe higjiena e duarve. Ju lutem të gjithë qytetarëve vendosni maskën dhe ruani distancën, virusi mund të na vrasë cdo ditë. Ju lutem më dëgjoni mua dhe kolegët, na dëgjoni ne specialistët. Janë disa skenarë, pas spitalit COVID-1 është gati ish-Kirurgjia e vjetër dhe të tjerët”.

Pipero kërkoi që mjeku i familjes të jetë më i përfshirë. “Por duhet që mjeku i familjes të jetë më në lojë. Ai që ka nevojë për spital të vijë sa më shpejt. Personi rri 12 ditë në shtëpi sa të pësojë komplikacione, ka edhe nga ata që vijnë për një telefonatë, ndërkohë ata me komplikacione vijnë me vonesë”.

Në javët e fundit, në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të botës është ulur mosha e të prekurve, ndërsa pak ditë më parë u shënua edhe viktima më e re 35-vjeç nga Librazhdi. “Dua të them se studimet dëshmojnë se është ulur edhe në botë mosha e të prekurve, tashmë diskutohet mes 29-39 vjeç, pavarësisht sa e manifestojnë.

Edhe mosha mesatare te ne është ulur në mos gaboj është 60 apo 59-vjeç. Por ka edhe të rinj mes tyre, edhe persona që nuk kanë sëmundje bashkëshoqëruese, prek disa organe njëkohësisht c’ka dëshmon edhe njëherë se përvec moshave të rrezikuara, mund të rrezikojë edhe të tjera” tha mjeku.

Medikamentet që po përdoren te Infektivi janë të njëjtat me ato që përdoren në botë, tha Pipero. “Ende bota nuk ka një ilaç anti-COVID, skemat e mjekimit janë ato që përdoren kudo në botë, përfshin anti-viral, antibiotik dhe anti-inflamator, oksigjenoterapia është një mjekim i rëndësishëm. Kjo është skema që përdoret kudo dhe te ne.

Natyrisht mendimet, studimet, konstatimet, evidencat nuk janë në unison në botë, por ne mbështetemi në eksperiencën më të mirë të mundshme. Skema është e njëjtë, midis tyre ka dinamikë anti-viralët janë të njëjtët, anti-inflamatorët kanë pësuar dhe pësojnë, ndryshime në dinamikë, por ju garantoj që në mjekim ne jemi hap më hap me vendet e tjera”.

Si paraqitet virulenca e COVDI-it? “Ne nuk e masim dot, teorikisht thuhet se nëse nuk pëson ndryshime, virulenca bie, ndërkohë që në Itali ka studime që ka rënë, ndërkohë që mund të ketë rënë apo ka rënë, është shtuar numri dhe koha e ekspozimit. Personat që preken dhe me risk të lartë si të moshuarit, pavarësisht nga virulenca, nëse preken mund ta kalojnë rëndë, prandaj është shumë e rëndësishme, masat parandaluese, maska dhe distanca janë thelbësore, higjiena e duarve, sa kohë që nuk kemi një vaksinë”.

Në total në Shqipëri janë kryer 3380 teste serologjike në personel shëndetësor, ku 6% e tyre kanë rezultuar pozitiv. Pipero, thotë se niveli i pozitivitetit në botë është më i lartë se në Shqipëri. “Në botë ky pozitivitet është më i lartë, kalkuohet se 10% e të prekurve në botë janë personel mjekësor, ne jemi më të ekspozuarit dhe si të tillë e kemi, jemi më të rrezikuar, të prekemi më lehtë. E kemi shumë të vështirë ti shmangemi infektimit” përfundoi ai.

Loading...