Tre të akuzuarit; Bujar Kusi, Ferdinant Bakalli, Luan Caka dhe Ali Sula, si të përfshirë për vrasjen e Indrit Çelajt, të riut që u vra për shkak të montimit të një kondicioneri, kanë kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit. Pavarësisht kësaj, kjo e fundit vendosi t’i lërë në burg.
Avokati Ilir Murati që mbron Bujar Kusin, babanë e dy të kërkuarve për vrasje, ka thënë se ai është takuar me të birin, Griseldon pas ngjarjes, por policia ka sajuar një vepër penale duke e çuar në burg të atin, sepse nuk kemi asnjë veprim duke fshehur e penguar të vërtetën.
“Bujari mbahet në burg vetëm pse është babai i autorit të dyshuar. Nuk është e drejtë që babai të mbahet në burg , pse djali ka kryer vepër penale. Në orën kur ka ndodhur krimi, Bujar Kusi ishte duke kryer veprime bankare. Ndaj i kërkoj gjykatës që mos të vendosë në përgjegjësi penale familjare dhe për këtë arsye i kërkoj gjykatës të heqë këtë masë sigurie të vendosur haptazi në kundërshtim me ligjin”, tha avokati i mbrojtjes së Bujar Kusit.
Ndërkohë, avokati Edison Hasanpashaj, i cili mbron Ferdinant Bakallin; të dyshuar për moskallëzim dhe veprime që fshehin të vërtetën, tha se klienti i tij ka njoftuar me telefon në numrin 127 ambulancën sapo ka pare viktimën. “Ndaj shtetasi Bakalli nuk ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. kërkojmë ndryshimin e masës së sigurisë”, tha Hasanpashaj.
Avokati Arben Gramozi, që mbron shtetasin Ali Sula tha se ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë, që ka vendosur masën “arrest me burg”.
Klienti im s’ka qene fare në kohën e kryerjes së veprës penale. Ai thjesht njeh të dyshuarit për ngjarjen. Kërkojmë lirimin e tij”, tha Gramozi
Prokurori i apelit u shpreh se kërkesat e avokatëve mbrojtës nuk janë të bazuara. “Vendimi i Gjykatës së Tiranës është i bazuar në fakte e prova. Të tre të dyshuarit jo vetëm që nuk kanë kallëzuar krimin, por kanë kryer edhe veprime konkrete për fshehjen e të vërtetës. Me përjashtim të Luan Cakës, i cili ishte shok me viktimën dhe për të cilin heqim dorë nga ankimi, për të tjerët kërkojmë lënien në fuqi të vendimit Të Gjykatës Tiranë”, tha Prokurori i çështjes. Pavarësisht kërkesave të tre të akuzuarve si të përfshirë në vrasjen Indrit Çelajt, Gjykata vendosi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, atë të “burgut pa afat”.