Apoloni, rizbulimi i mozaikëve të Vilës së Athinasë(foto)

Mozaiku i Vilës së Athinasë është një aset brenda parkut arkeologjik të qytetit antik të Apolonisë, ende i pastudiuar. I përket periudhës helenistike të shekullit III para Krishtit dhe është i dominuar nga figura gjeometrike dhe floreale.

Monumenti i “Vilës së Athinasë” është zbuluar nga një ekspeditë ruso-shqiptare, zhvilluar në vitet 1958- 1960, por prej 20 vitesh ka qenë i mbyllur, dhe vetëm së fundmi ai është hapur dhe specialistet e vlerësojnë të vizitueshëm.

Po ju, e keni vizituar Vilën e Athinasë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë? A e dini se nën të qëndrojnë të fshehur një sërë mozaikësh magjepës?

“Shumë shpejt do t’ju njohim me këtë pasuri të vyer, së cilës për më shumë se 25 vite nuk i është bërë dokumentimi i gjendjes së mozaikëve. Tashmë, falë punës së specialistëve të Parkut Arkeologjik Apoloni dhe specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës, po realizohet rizbulimi i këtyre mozaikëve për të bërë të mundur dokumentimin e gjendjes së tyre, rifreskimin e materialit mbrojtës degraduar ndër vite, marrjen e masave dhe zhvillimin e projekteve për restaurimin dhe promovimin e tyre”, thotë Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Apolonia, themeluar rreth fillimit të shek. IV p.e.s., pas Dyrrahut, ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut, ndaj dhe zgjon gjithnjë interes për t’u vizituar. Por për ata që e kanë të pamundur t’a vizitojnë fizikisht Apoloninë, nëpër këtë park të rëndësishëm arkeologjik, gjithsekush, shumë shpejt mund të bëjë një tur virtual. /atsh

Loading...