Rikthimi i Arbana Osmanit në ekran me sezonin e tretë të këtij emisioni, që në thelb ka emocionin dhe surpriza, përkon me fillimin e Vitit të Ri 2019. Në një postim në “Instagram”, Arbana tregoi se nga 5 janari do e shohim në ekranin e “Top Channel”.
Por në prag të sezonit të ri televiziv, Arbana zbuloi edhe të ardhmen e “Big Brother Albania”. Pasi zbuloi datën e rikthimit me “Dua të të bëj të lumtur”, mendja e të gjithëve ishte akoma te “Big Brother” dhe komentet e shumta mbi postimin e saj kishin të bënin me prezantimin dhe rikthimin e këtij spektakli televiziv, të cilin ajo e ka prezantuar për vite me radhë. Ndërkohë që shumë komentues e urojnë për programin e saj, shumë të tjerë e pyesin për “BBA”.
Një nga komentet që ra në sy ishte ai i një ndjekësi, i cili e pyeti Arbanën: “Po Big Brother ‘kurrë’ fillon”? Kësaj pyetje moderatorja i ktheu menjëherë përgjigje, duke shkruar: “Mirë e the”, duke iu referuar fjalës “Kurrë”.
Me këtë përgjigje, ajo la të nënkuptohej se mbase spektakli më i famshëm në Shqipëri nuk do të transmetohet më kurrë. Megjithatë, kjo mbetet të shihet në muajt në vazhdim, pasi drejtuesit njoftuan pak kohë më parë se kishin nisur përgatitjet për “Big Brother VIP”, reality show-n që këtë vit u tha se do të vendoset në ambientet e reja të “Studio Nova”.
Ajo çfarë nxiti më shumë kureshtjen e publikut, ishte fakti se kush do e prezantonte këtë “reality show”, të konceptuar si një “resort” ku do të akomodohen personazhet e famshëm shqiptarë. U lakuan disa prej emrave të mundshëm të “Top Channel”, që nga Ledion Liço, Ori Nebijaj, Arbana Osmani e deri te Luana Vjollca, por deri tani nuk kemi asnjë version zyrtar nga televizioni për këtë show.
Kujtojmë që vetë “Top Channel” e publikoi spotin e këtij projekti në janar. Ky spot zbuloi dhe filozofinë apo formulën e show-t, që pas një dekade eksperiencë me protagonistë njerëz të zakonshëm, për herë të parë do të ketë si banorë personazhe të famshëm të showbiz-it, që bëjnë karrierë në fusha të ndryshme. Në spotin në fjalë kuptohet ideja e këtij formati nëpërmjet pyetjeve që ngrihen, e secila ka përfaqësuesin VIP që mbart një histori personale.
“Të përndiqesh nga portalet! Të bësh selfie me fansat! Të dobësohesh me palestër! Të parakalosh në tapet të kuq! Të dobësohesh me ndihmën e doktorit! Të marrësh vesh dallaveret e fundit! Të bësh thonjtë! Të zgjedhësh madhësinë e gjoksit! Të frysh buzët pa rënë në sy!… Të bësh prap thonjtë! Të gjesh paruken e duhur! Të fshish komentet e ‘hate’-sve! Të shpikësh një emër për beben e re! Të xhirosh gomat aty ku nuk lejohet! Të kërkosh falje publike! Është e vështirë të jesh një VIP! Ata meritojnë që të çlodhen! E ku është resorti i VIP-ave?! Big Brother Vip… së shpejti vetëm në ‘Top Channel’”, janë frazat e shkëputura nga ky spot.
Mbetet për t’u parë, nëse personazhet e famshëm do të pranojnë të bëhen pjesë apo projekti ka dështuar.