Arben Ristani: “PD e Berishës apo PD e Bashës”

Arben Ristani flet me kujdes, sikur të ishte ende Sekretar i Përgjithshëm i PD. Qeshi kur ia thashë këtë pasi ia lexova përgjigjet.

E drejta e tij. Edhe pse është ‘strategjikisht’ ngacmues, ‘taktikisht’ ai zgjedh të jetë lualajal me partinë dhe shefin e saj, Bashën. Një ndryshim nga kritizerët e tjerë të kryetarit demokrat që kanë qenë dhe janë në pozicionin ‘mors sua vita mea’ (vdekja e tij, jeta ime).

Për histori, Ristani e pa veten jashtë listës fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe më pas, në zgjedhjet e brendshme nuk ishte më piketa e Bashës as për ndonjë prej roleve hierarkikë në parti.

Duket sikur atë e mban të lidhur me PD vetëm një kujtim: roli i tij si kreu i KQZ, që e bëri Bashën kryetar të Bashkisë së Tiranës. A thua njeriu të cili i gatoi ngjitjen, po i
brumos fundosjen? Edhe në politikë c’est la vie.

Kam përshtypjen se ka një ‘parehati’ në PD, edhe pse ai shqetësim është introvert, kthehet në helm në vend që të dalë jashtë si çlirim, por edhe një rikthim të debatit rreth
zhvillimeve në PD. Edhe pse, duhet thënë, ju jeni i vetmi që flisni nga ‘brenda’, ndërsa të tjerët nga ‘jashtë’, e kam fjalën për personazhe të tipologjive Topalli apo Kulluri, të cilët
janë të helmët me z. Basha. Ju keni zgjedhur një qasje të butë sipas mendimit tim, duke bërë kritizerin, por nga pozita jo armiqësore. Cilat kanë qenë reagimet që keni marrë nga
brenda dhe jashtë partisë?

Duke theksuar se, shqiptarët dhe opozita e këtij vendi, po përballen me regjimin antipopullor dhe kriminal të Ramës dhe Rilindjes si bandë, është e kuptueshme që opozitës i takon të
udhëheqë betejën për t’ua hequr nga shpina shqiptarëve këto shushunja noliane.

Opozita nga ana e saj, dhe PD si forca kryesore në opozitë, duhet të jetë e aftë, e mirorganizuar, e demokratizuar dhe e mbështetur mbi parime të shëndosha, për të realizuar
qëllimin e saj, shndërrimin në pozitë, në qeveri me projekt real zhvillimi për vendin.

Asgjë më shumë se një opozitë e tillë nuk mund ta heqë qafe Ramën dhe bandën e tij. Prandaj e shoh të shëndetshëm debatin, diskutimin, kontributin e mbështetur mbi vlera dhe synime për të mirën e përbashkët.

PD ndodhet në momentin më të vështirë sepse, për herë të parë që prej themelimit, ndodhet jashtë sistemit, jashtë pushtetit qendror dhe vendor. Momenti veçanërisht i vështirë, kërkon reflektim të thellë dhe ngritjen e gjithsecilit, mbi interesin e karrierave personale. Karriera të cilat
marrin kuptim vetëm nëse organizata politike realizon qëllimin e ardhjes në pushtet. PD është pasuri kombëtare dhe, si ne që jemi në strukturat drejtuese, si antarët e thjeshtë, si ata që
padrejtësisht janë lënë jashtë strukturave, por edhe çdo shqiptar i vetëdijshëm për rolin e partive politike në një demokraci funksionale, e kanë për detyrë qytetare, të kontribuojnë për ta mbajtur të shëndetshme.
Rruga dhe mënyra se si gjithsecili vepron, në mënyrë personale, është diskrecion vetjak.

Përsa i përket reagimeve ndaj qëndrimit tim, deri tani kanë qenë, përgjithësisht, proporcionale për sa i përket dinjitetit dhe raportin me të vërtetën.

A iu ka kontaktuar vetë z.Basha? Kur është hera e fundit që keni folur me të?
Qëndrimi im ka qenë dhe do vazhdojë të jetë parimor dhe në raport të drejtë me të vërtetën.
Dua t’ju siguroj se qëndrimet e mia publike kohët e fundit nuk kanë qenë aspak të panjohura, si për Kryetarin e PDSH ashtu dhe për kolegët në parti. Duhet kuptuar se një organizatë politike, aq më tepër një organizatë e përmasave historike si Partia Demokratike, është aset publik. Ky status detyron dhe politikanin e cilitdo nivel, sidomos atë të nivelit të lartë drejtues, të jetë i hapur për publikun me qëndrimet e tij.

Çfarë mendoni se ka çaluar te lidershipi i Bashës: mungesa e komunikimit, mungesa e sinqeritetit, mungesa e vizionit, mungesa e njerëzve, mungesa e partneriteve të duhura,
apo është diçka tjetër?
Besoj se, gjithnjë ka shumë faktorë që ndikojnë në performancën e liderëve, por që mbeten të
gjitha në hije kur arrihet objektivi, apo shquhen me tepri, kur objektivi largohet. Liderët tanë reflektojnë qartë mungesën e kulturës dhe vetëdijes demokratike. Shpesh herë
sillen si bajraktarë dhe ngatërrohen me 1000 fije në funksion të pushtetit.
Mendoj se besimi që përcjellin te bashkëpunëtorët dhe populli, është elementi çudibërës në politikë.

Mund të ketë njerëz që thonë: Basha ia dha Ristanit shansin e tij, e bëri Sekretar të Përgjithshëm etj. Duke i bërë një preambul kësaj, për të futur faktin se iu la të katërtin, në
një pozicion jo fitues në listën e Vlorës, a mendoni se këtu filloi edhe teposhta e marrëdhënies tuaj me të?
Z.Basha më propozoi mua, z.Selami, ish kryetar i PD dhe Z. Alibeaj, ish ministër i PD, për postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Besoj se të tre ishim dinjitozë, për sa i përket kontributeve dhe cilësive morale dhe intelektuale. Më pas ishte Këshilli Kombëtar i PD i cili, më votoi mua për SP. Vërtetë, ky lloj propozimi është diskrecion statutor i Kryetarit dhe dhënia e “shanseve” është ushtrim i lidershipit, por nuk mund të ketë kryetar që pretendon të arrijë qëllimet e
organizatës duke bërë “qoka” personale me postet drejtuese të partisë. Për më tepër zgjedhja e SP është kompetencë e forumit përkatës, i cili të jep besimin për detyrën.

Caktimi i vendit dhe renditja për kandidim për deputet, për të gjithë listën, u bë nga z. Basha pa konsultim dhe në shkelje të statutit të partisë. Kjo solli pasoja në garën elektorale për të cilat Kryetari, kërkoi ndjesë publikisht.
Askush nuk është imun ndaj gabimeve, çështja është te reflektimi dhe puna me përkushtim për të sjellë PD në krye të punëve të këtij vendi. Personalisht ndjehem i fituar, nëse fiton PD edhe pa qenë vetë deputet. Ndërsa pretendimi për t’u ndjerë i respektuar mbetet konstant.

A mendoni se Basha iu ka një borxh të pashlyer, nëse i kthehemi pamjeve dhe veprimeve të paszgjedhjeve të majit 2011. Mund të thuhet se ju keni bërë për të, atë që Katherine
Harris, guvernatorja e Florida-s, ka bërë për presidentin amerikan George Ë. Bush. A është mirënjohës Basha apo ai është ‘sovjetik’, duke kujtuar këtu shprehjen e Stalinit
‘mirënjohja, e njoh atë sëmundje qensh’?

Unë kam zbatuar ligjin në punën time si Kryetar i KQZ-së dhe veprimtaria ime, është konfirmuar edhe gjyqësisht. Kam bërë detyrën shtetërore pa pasur asnjë lidhje, apo anësi politike. Në këtë pikëpamje askush nuk me ka asnjë borxh.
Borxh kam unë nëse nuk i kam justifikuar ndokujt, besimin që më ka dhënë, por kjo, jam i bindur, është hipotetike. Mosmirënjohja dënohet edhe nga librat e shenjtë dhe do uroja të mos ishte tipar i askujt, aq më pak i demokratëve.

Ju keni patur, apo më saktë keni ‘rënë’ në një polemikë me Agron Gjekmarkajn, së cilës i ngacmuar nga një pyetje imja, ai i është rikthyer edhe para pak ditësh në një intervistë për Politiko. A na shihni me çudi ne që e interpretojmë botën politike nga jashtë,përfshirë këtu Gjekmarkajn, mua dhe shumë të tjerë si ne, pjesë e komentariatit politik?

Kam shumë respekt për çdo zë publik që kontribuon për ta bërë më të mirë shoqërinë shqiptare. Çudia nuk ka vend, përkundrazi, interpretimet tuaja racionale që mbështeten mbi të
vërtetën dhe synojnë më të mirën, i lexoj plot interes, dhe jo vetëm unë. Këtu do theksoja se shërbimi ndaj shoqërisë konsiston në debatet mbi idetë, pikëpamjet,
shtjellimet parimore dhe është larg personalizimeve që nuk i interesojnë kujt.
Gjekmarkaj, në mënyrë të pashpjegueshme dhe, sigurisht të habitshme, më është ‘ngatërruar nëpër këmbë’, duke mos polemizuar për ato që unë kam thënë, por duke u marrë personalisht me mua. Kjo nuk i vlen askujt, për më tepër, kur shkon deri aty sa të pretendosh ‘t’i futesh tjetrit poshtë tavolinës’, për të ditur çfarë thotë dhe si e thotë, me mërmërimë, apo me klithmë. Unë i përkas politikanëve modestë, por që ruajnë me fanatizëm lirinë dhe luksin moral dhe intelektual, për të pasur mendim, qoftë edhe kritik, edhe ndaj liderit të partisë ku bëj pjesë. Është momenti më i rëndësishëm për ta mbajtur polemikën publike, parimore dhe me vlerë për shoqërinë; personalizimi është budallallëk.

A mund të bëni një dallim mes dy PD-ve, asaj të Berishës dhe kësaj të Bashës?
Në kontekstin politik shqiptar, në ndryshim nga partitë politike të vendeve demokratike perëndimore, partitë tona janë më të prirura të marrin formën që u jep lideri.
Pra, në këtë kuptim, dallimet që liderët kanë mes tyre përbëjnë thelbin e ndryshimit të PD në të dy kohët.

Çfarë kërkojnë anatemuesit e Bashës, Topalli, Imami, Patozi dhe të tjerë, që janë të zëshëm, por shumë më pak të rëndësishëm, kur e kritikojnë Bashën për të meta të
Berishës, do të thotë për një vertikalitet në PD, ku ‘lideri i di të gjitha’, ndërsa në kohën e Berishës nuk bëzanin?

Siç e theksova pak me lart është në interesin e përbashkët që të përqendrohemi te pjesa parimore, e vërtetë dhe racionale e kritikave. Nuk më rezulton se të metat për të cilat kritikohet
z. Basha sot janë po ato të meta për të cilat, ju thoni, se nuk është kritikuar z. Berisha dje. Këtu kam parasysh kritikat që lidhen me prishjen e ekuilibrave të përfaqësimit në parti, mungesën e transparencës në vendimmarrje, okultizëm në marrëveshje me kundërshtarin politik, apo prishja e sistemit të karrierës dhe vlerësimit të kontributit.
Megjithatë, unë besoj se rezultatet e arritura janë barometri më i saktë kur gjykojmë mbi të metat e liderëve dhe objektivitetin e kritikave.

Fakti është që z. Berisha e udhëhoqi PD dy herë drejt fitores dhe e mbajti në pushtet për më shumë se 12 vjet.
Nëse do të imagjinonit një PD të ndryshme nga kjo e sotmja, te cili variant do iu shkonte mendja?
Që Partia Demokratike të jetë alternative e besueshme për shqiptarët duhet në radhë të parë të gëzojë besimin e demokratëve. Me këtë dua të them që funksionimi, drejtimi dhe menaxhimi t’i afrohet sa me shumë emrit të partisë. Një parti ku shtresat dhe grupet e interesit janë të përfaqësuara, ku parimet kushtëzojnë vendimmarrjen dhe sjelljet e lidershipit. Një parti e cila aplikon sisteme të cilët garantojnë garë të brendshme, qarkullim elitash, përfaqësim cilësor dhe
dinjitoz. Një parti të dekompleksuar dhe mirëpritëse të debatit të brendshëm si dhe të hapur ndaj alternativës.
Rendjet drejt modeleve të gatshme, qoftë këto të huazuara dhe nga vende shumë të përparuara, janë fare të kota nëse konstruksionet themelore të partisë nuk janë të bazuara mbi
parime dhe vlera themelore universale të demokracisë, apo dhe mbi substratin kombëtar dhe lokal.
Politiko.al

Loading...