Arbër Çekaj, biznesmeni i cili akuzohet për 613 kg kokainë të kapur në Maminas, ka kallëzuar penalisht në SPAK, prokurorin e çështjes Edvin Kondilli si dhe oficeren e Policisë Gjyqësore, Migena Haxhinë.
Sipas pretendimeve të Arbër Çekaj kallëzimi ka ardhur pasi i akuzon Kondillin dhe Haxhinë për manipulim dhe të dhëna jo të sakta të sistemit TIMS.
Arbër Çekaj pronari i kompanisë “Arbri Garden” në kontenierët me banane të së cilës në fund të shkurtit të 2018 u kapën edhe 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia u arrestua në maj të 2018-tës në Gjermani.
Për Çekajn prokuroria kërkoi 21 vite burg ndërsa vetë ai, në një reagim publik shpërndarë nga avokati shprehet se nuk ka lidhje me drogën, por prej vitesh ka nisur një punë të ligjshme me frutat duke pasur edhe fitime të cilat i zgjeruan aktivitetin.
Ai hodhi akuza të fortë ndaj prokurorisë shqiptare duke thënë se droga u zbulua nga italianët të cilët montuan kamera në kontenier për dorëzim të kontrolluar por hetuesit shqiptarë e ndalën operacionin duke mos kapur trafikantët e vërtetë dhe duke krijuar një grup kriminal imagjinar.