Moderatori i njohur Arian Çani u shpreh mbrëmjen e djeshme se kandidati më i duhur sipas tij për të zëvendësuar Lulzim Bashën në krye të PD-së është Arben Imami.
Por menjëherë pas artikulimit të këtij emri, hasi në kundërshtimin e deputetit të zgjedhur të PD-së Ervin Salianji, i cili tha se Imami nuk iu shërben demokratëve, pasi në gjithë këto vitë ai nuk është shprehur asnjëherë kundër Edi Ramës.
Madje Salianji solli në vëmendje dhe kohën kur Imami ka shërbyer si ministër, në qeverinë socialiste të Fatos Nanos.
“Kam një simpati për Arben Imamin që prej kohësh. Beni është një personazh politik i paparë, po takisha unë në dorë kë do vendosja në krye të PD, Ben Imamin do thosha menjëherë”, tha Arian Çani.
“Kam një mendim aspak pozitiv në pikëpamjen e asaj që përfaqëson politikisht, mund të ketë gjithë formimin e duhur, por ne nuk na duhet një profesor. Na duhet një njeri që ka mbajtur qëndrime politike, në performancën e 8 viteve ka përmendur Ramën 1 herë…
Unë mendoj që nuk i shërben demokratëve, por thënë këtë është i mirëpritur jo vetëm zotëria, por të gjithë, që të garojnë në zgjedhjet që do zhvillojë PD. Nëse themi që Basha do mundi Ramën, si të mos mundi këta që janë më të dobët? Imami ka qenë ministër me Fatos Nanon.
Në 2013-2017 ka qenë deputet, merre performancën publike… Unë jam një prej njerëzve që më dhimbset dhe kam sensitivitet ndaj demokratëve, disa njerëz nuk kanë shërbyer për opozitën”, u shpreh Salianji për Zonë e Lirë.