Ariu i murrme eshte filmuar nga kamerat ne zonen e Parkut te Prespes.
Javën e kaluar ekipi i PPNEA përmbushi kontrollin e parë të kamerave kurth të vendosura për këtë sezon monitorimi në Parkun Kombëtar Prespë, ku e gjithë sipërfaqja gjeografike është mbuluar duke u bazuar në shtigjet më të përshtatshme për kalimin e gjitarëve të mëdhenj.
Përshkimi i këtyre shtigjeve për këtë kontroll nga dy grupet e PPNEA në peizazhin mahnitës të Prespës pati rezultatin që pritej. Mbi 30 foto gjitarësh u fotografuan me lloje si ariu i murrmë (Ursus arctos), macja e egër (Felis silvestris), derri i egër (Sus scrofa), kunadhja (Martes foina), dhelpra (Vulpes vulpes), ujku (Canis lupus) etj.
Falenderojmë stafin e parkut të Prespës për ndihmën dhe sugjerimet mbi zonën e studimit si dhe vullnetarët e përfshirë në këtë proçes. Ky studim realizohet në kuadër të projektit “Strengthening NGO-led Conservation in the Transboundary Prespa Basin” financuar nga PONT dhe Aage V.Jensen Charity Foundation.