Arjan Salaj vdiq mes flakëve në magazinë, zbardhet ekspertiza paraprake

Zbardhet ekspertiza paraprake për zjarrin e rënë në magazinën e nëndheshme disa ditë më parë në një qendër tregtare në Tiranë. Zjarri në magazine me mallra plastike e veshje, dyshohet se nisi pas një shkëndije elektrike në kabullin e neonit. Shkëndijat elektrike ranë mbi rroba sintetike duke krijuar flakë të shumta që forcave zjarrfikëse ju deshën mbi 2 ditë për t’i shuar zjarrin, pasi temperatura në magazinë arriti mbi 900 gradë.

Zjarri ka rënë rreth orës 15:00 teksa punëtorit prisnin kamionin me mall. Të parët që tentuan të shuajnë zjarrin ishin punonjësit e sigurisë mes tyre edhe Arjan Salaj, që fatkeqësisht u gjet i pajetë ditën e djeshme në magazinën e shkrumbuar. Punonjësit e sigurisë shuan flakët por jo vatrën e për pasojë, zjarri u riaktivizua më pas.
Në orën 15:30 flakët aktivizuan alarmin, ndërsa 2 punonjës dhe djali i pronarit u futën t’i shuanin. Arjan Salaj u fut thellë në magazinë që të shuante flakët. Ai tentoi të largohej nga dera e emergjencës por u rrëzua për shkak të errësirës dhe tymit.

Trupi i pajetë i të ndjerit u gjet shumë pranë derës së emergjencës. Ai u përcoll dje nga familjarët në banesën e fundit, ndërsa qeveria pritet ta shpallë Dëshmor të Atdheut.

Loading...