Në vitin 2017, pak para zgjedhjeve të 25 Qershorit, sulmuesi i Kombëtares Armando Sadiku doli hapur pro Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, duke i dedikuar këtij të fundit edhe dy golat e shënuar në fitoren ndaj Izraelit.
Por pas 4 vjetësh, futbollisti elbasanlli, që luan në Bolivi, duket se ka ndryshuar mendim.
Ai, së bashku me Ansi Agollin, Erjon Bogdanin Foto Strakoshën dhe Kastriot Tushën ka biseduar pasditen e sotme me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, i cili e ka shpërndarë edhe në Instagramin e tij.
“Ju falenderoj për mbështetjen Ansi Agolli, Erjon Bogdani, Armando Sadiku, Kastriot Tusha dhe Foto Strakosha“, shkruan Basha mbi story-n e tij.
Çfarë deklaronte Sadiku në 2017-ën, në një video të publikuar edhe nga vetë kryeministri Rama:
“Që kur Edi Rama është bërë kryeministër i Shqipërisë, kthehem me shumë dëshirë sepse Shqipëria është bërë më e bukur. Edi Rama ka bërë aq shumë për futbollin sa askush nuk e bëri në 25 vitet e fundit.
Unë ia dedikoj të dy golat e mi kundër Izraelit numrit 2 në fletën e votimit, Edi Ramës dhe jam i bindur se trajner si Edi Rama i vjen Shqipërisë një herë në 50 vjet”.
Pak para ndeshjes së sotme me Anglinë, futbollistët e Kombëtares i dhuaruan Bashës fanellën me numër 9, e firmosur prej tyre dhe nga stafi drejtues i ekipit.