Policia e Sarandës ka arrestuar poseduesin e armëve e municionit të sekuestruar dje në Finiq.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të operacionit “Dhrovjani” të finalizuar ditën e djeshme, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. T., kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e të atit të tij të shpallur në kërkim, shtetasi J. T., pronari i banesës në fshatin Dhrovjan, Finiq, ku u gjetën dhe u sekuestruan 10 armë zjarri dhe municion luftarak.
Shërbimet e Policisë , gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. T., në fshatin Dhrovjan, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material 10 armë zjarri dhe municion luftarak, konkretisht 1 mitraloz të lehtë, 2 kallashnikovë, 3 armë zjarri pushkë dhe 4 armë gjahu, 1 granat-hedhës dhe 220 fishekë luftarakë.