Arrestimi i Balilit, SHBA-BE: Hap i madh për shqiptarët dhe përparim në rrugën e anëtarësimit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sot pas arrestimit të Klement Balilit, i kërkuar prej kohësh nga shteti shqiptar dhe i akuzuar për disa vepra penale.

Ambasada amerikane përgëzon Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e Balilit duke e vlerësuar si një hap të madh për shqiptarët dhe përparimin drejt hapjes së bisedimeve me BE.

“Ne përgëzojmë Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE. Ne mirëpresim një hetim dhe gjyq të shpejtë dhe të plotë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar. #KushEKaRradhën”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Po ashtu për arrestimin e Balilit reagoi edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca.

“Ndalimi i Klement Balilit nga Policia e Shtetit paraqet një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër bandave kriminale në Shqipëri. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës është përparësi kyçe për BE-në, në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, tha Soreca.

Edhe zyra e OSBE-së në Shqipëri reagoi për arrestimin e Balilit. “Shohim që përpjekjet disavjeçare në luftën kundër krimit të organizuar, edhe një herë, po sjellin rezultate konkrete dhe të rëndësishme në Shqipëri. E përgëzojmë Policinë e Shtetit për arrestimin e trafikantit të akuzuar ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm në luftën e Shqipërisë kundër krimit të organizuar. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e vendit për fuqizimin e shtetit të së drejtës”, tha OSBE./atsh/

Loading...