Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka publikuar njoftimin zyrtar për arrestimin e ish ministrit Lefter Koka, pas hetimeve për inceneratorin e Elbasanit.
Ne njoftimin e SPAK behet me dije se te arrestuarit e tjere jane Klodian Zoto dhe Stela Gugallia.
Prokuroria e Posaçme thotë se ka mbledhur “prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e disa veprave penale”.
Akuzat e ngritura ndaj të arrestuarve janë: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
“Së pari, nga hetimet e kryera është provuar se në proçedurën e dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit.
Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar proçedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e proçedurës që është përdorur për dhënien e konçensionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për konçensionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarte të tenderit të zbatueshme për konçensionet, në kundërshtim edhe me sygjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjensisë së Prokurimit Publik.
Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e konçensionit në bashkëpunim me shtetasin Leftr Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit”, thuhet në dosjen e SPAK.
Ndër të tjera SPAK thotë se Lefter Koka ne kohen qe ka qene minister “ka perfituar shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k”.
“Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish -Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, vijon SPAK.