Policia Rrugore është duke vijuar kontrollet intensive në të gjitha rrugët interurbane dhe në qendrat e banuara në të gjithë vendin, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Kështu gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit, nga Policia Rrugore e Tiranës janë goditur dy raste të tjera të mitëdhënies.
“Gjatë kontrolleve parandaluese në rrugën “Thoma Goxha”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë konstatuar shtetasin I. H., i cili drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurimit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, 43-vjeçari I. H. i ka ofruar punonjësit të Policisë, dy kartëmonedha me vlerë 1500 lekë të rinj, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Nga shërbimet e Policisë Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike””, njofton policia.
Po ashtu gjatë verifikimit të një aksidenti rrugor vetëm me dëme materiale në rrugën “Hamdi Pepo”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë testuar dhe verifikuar se njëri nga drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksidentin rrugor ishte nën ndikimin e alk o olit.
Ai për të shmangur masën administrative dhe pezullimin e lejes së drejtimit, i ka ofruar punonjësit të Policisë 1000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Kështu menjëherë policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasi I. D., 57 vjeç.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar gjithsej 30 leje drejtimi, nga të cilat 17 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të de hur.
Po falë denoncimeve të qytetarëve te Komisariati Dixhital apo në numrin 112 dhe kontrolleve intensive në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 1678 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, si dhe për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.