Arrestohen 33 persona me 12 plantacione me hashash/ Shqiptarët çojnë ‘Lazaratin’ në Spanjë

33 persona janë arrestuar në Spanjë, mes të cilëve edhe disa shqiptarë si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se zotëronte 12 plantacione të mbjella me hashash në të gjithë territorin e vendit iberik.

Në total, janë kryer 14 kontrolle në të cilat 11 persona janë arrestuar në Segovia, 11 në Andaluzi, pesë në Castilla-La Mancha , katër në Aragon dhe dy në Madrid si pjesëtarë organizatës kriminale në kultivimin dhe përpunimin e marijuanës.

Sipas mediave spanjolle, shumë prej personave të arrestuar janë me kombësi shqiptare, ndërsa pjesë e biznesit janë edhe italianë, spanjollë dhe kolumbianë. Mes të arrestuarve janë edhe tre femra.

Mënyra e funksionimit të organizatës ishte e rregulluar. Disa persona qëndronin nëpër baraka, apo ndërtesa të provizore pranë plantacioneve për periudha kohore që shkonin nga 6 muaj deri në një vit. Detyra e tyre ishte të kujdeseshin për të mbjellat, ndërsa pjesa tjetër u siguronte ushqime dhe gjërat e tjera të nevojshme, si edhe gjente tregun për të shitur produktin.

Sipas autoriteteve spanjolle janë asgjësuar rreth 20 mijë bimë, të mbjella në plantacione në natyrë, por edhe në magazina të përshtatura si ferma të mbyllura.

Tregu i hashashit ishte Belgjika dhe Gjermania dhe besohet se kjo pjesë u ishte lënë në dorë shqiptarëve për shkak të lidhjeve të tyre në këto dy vende./Gazeta Shqip

Loading...