Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Fierit pasi akuzohet për përndjekje. Pas hekurave ka përfunduar Artur Ibraj lindur ne Patos dhe banues ne Fier. Akuza që rëndon mbi të është përndjekja e një të miture të cilës i ka shkaktuar gjendje frike dhe ankthi duke i shkuar nga pas pa dëshirën e saj prej kohësh.
Kanë qenë familjarët e të miturës ata që e kanë referuar rastin në emisionin “Piranjat” dhe që më pas u bë i mundur arrestimi i tij.
Njoftimi i policisë: Fier, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, pas denoncimit të bërë nga emisioni “Piranjat”, se një shtetas 36-vjeçar përndiqte një shtetase të mitur, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Përndjekja”, shtetasin A. I., 36 vjeç, banues në Fier, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase të mitur 17 vjeçe.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të tilla dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.