Arrestohet ish-këshilltari i Edi Ramës, akuzohet për korrupsion dhe abuzime me pushtetin

Ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe ish-këshllitari i kryeministrit Edi Rama, Mikheil Saakashvili është arrestuar në kryeqytetin gjeorgjian. Ai po vuan dënimin me 9 vite burg në atdhe që prej 1 tetorit 2021 pasi u kap nga policia gjeorgjiane për veprat penale korrupsion, abuzim me pushtetin.

Por, emri i tij është i njohur jo vetëm si politikan i korruptuar, autoritar dhe i mbështetur nga filantropisti George Soros, por dhe si kandidat për këshilltar të kryeministrit Edi Rama. Madje, kryeministri ynë kishte konsideratë të lartë për 54-vjeçarin duke e vlerësuar si lider reformator. Të dy u takuan për herë të parë në 27 shtator 2013, kur lideri i PS sapo kishte marrë pushtetin, ndërsa Saakashvili po mbyllte mandatin e dytë presidencial.

Një arsye e fortë e krijimit të miqësisë mes tyre ka qenë dhe miliarderi hungarezo-amerikan George Soros. Publikisht, si Rama dhe Saakashvili kanë pranuar miqësinë dhe raportin pozitiv me themeluesin e organizatës joqeveritare “Shoqëria e Hapur” duke u takuar shpesh me të. Por, ndaj Ramës dhe Saakashvilit ka patur akuza të ashpra prej vitesh nga media dhe opozita shqiptare dhe gjeorgjiane se kanë shfrytëzuar mbështetjen nga Soros për të kapur pushtetin dhe për të minuar demokracinë në vendet e tyre nëpërmjet afera korruptive, shkatërrimit të drejtësisë dhe shtetit. Takimi mes tyre u zhvillua në selinë e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Duket se biseda mes tyre ka bërë që ata të lënë mbresa pozitive ndaj njëri-tjetrit.

Gjykata e Tbilisit e dënoi Saakashvilin me 3 dhe 6 vite burg

Në janar dhe qershor 2018, Gjykata e Tbilisit e dënoi Saakashvilin me 3 dhe 6 vite burg për veprat penale korrupsion, abuzim me pushtetin dhe dhunimin e politikanit opozitar Valery Gelashvili. Ai i konsideroi dënimet si hakmarrje politike të organizuara nga presidenti rus Vladimir Putin. Në 1 tetor 2021, Saakashvili u arrestua nga policia gjeorgjiane pasi kishte hyrë në atdhe. Më pas, ai u burgos dhe nisi grevën e urisë për t’u kuruar në spitalin e Rustavit. Ai komenton vazhdimisht nëpërmjet “Tëitterit” zhvillimet e fundit politike në botë. Sot, Saakashvili, një politikan reformator dhe shumë i dashur nga Perëndimi po lufton për të rimarrë sërish pushtetin në atdhe.
Rama dhe Saakshvili u takuan në Tiranë në 15 korrik të vitit 2014

Por sikundër e përmendëm edhe më sipër, ish-presidenti gjeorgjian ka një njohje me kryeministri shqiptar, Edi Rama. Në 15 korrik të vitit 2014, Saakshvili, tashmë i vendosur nën hetim nga Prokuroria e Tbilisit për vepra të shumta penale të korrupsionit, krijimit të regjimit autoritar, shtypje të dhunshme të opozitës, abuzim me pushtetin etj., erdhi me vizitë në Shqipëri. Në atë kohë, ai u prit nga kryeministri Rama si dhe bisedoi me Zv/kryeministrin, Niko Peleshi; Ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe Ministrin e Pushtetit Lokal, Bledi Çuçi. Sipas të dhënave të mediave në atë periudhë përflitej se Rama i kishte ofruar rolin e këshilltarit ish-kreut të shtetit gjeorgjian në vitet 2004-2013.

Shefi i qeverisë nuk i kurseu komplimentet për Saakashvilin e duke e konsideruar heroin e brezit të ri të politikanëve në Shqipëri. “Ajo që ka bërë për vendin tij ishte e jashtëzakonshme, sepse na siguroi që asgjë nuk është e pamundur nëse dikush ka vizion dhe kurajo për të ndjekur. Jemi me fat tashmë që ne mund të mësojmë nga përvoja e tij”, shprehej kryeministri ynë në 2014. Nga ana tjetër, Saakashvili e vlerësoi maksimalisht interesimin e Ramës për reformat e shtetit gjeorgjian në sektorin publik dhe polici. Ai nuk nguroi të premtonte se shteti transkaukazian do t’i ofronte kryeministrit socialist ekspertët më të mirë. Por, bashkëpunimi Rama-Saakashvili kishte marrë formë në kohën midis dy takimeve të sipërpërmendura.

Media “Balkan Insight” raportonte afro 8 vite më parë se këshilltarë dhe bashkëpunëtorë të ish-presidentit Mikheil Saakashvili kishin vizituar Tiranën përpara se ish-eprori i tyre të mbërrinte në kryeqytetin shqiptar. Gazeta gjeorgjiane “Commersant” bënte me dije se ish-minstri gjeorgjian i ekonomisë Kakha Bendukidze u takua me Ramën pak ditë para se Saakshvili të pritej nga shefi i qeverisë shqiptare. Bendukidze konsiderohej si njëri prej arkitektëve të politikave të përmirësimit të tregut të lirë në Gjeorgji. Duke lexuar dhe deklaratat e ish-kreut të shtetit gjeorgjian në adresë të Ramës mendohej se bashkëpunimi mes tyre jo vetëm që do të niste mbarë, por se do të vazhdonte për një kohë të gjatë.

Saakashvili flet për raportin me kryeministrin Rama

Në 4 shtator 2014, Saakashvili e quajti Ramën mikun e tij, por në pyetjen e bërë nga ATSH nëse do të pranonte funksionin e këshilltarit zyrtar të kryeministrit shqiptar, ai refuzoi një gjë të tillë. “Kam marrëdhënie miqësore me Edi Ramën. Gjeorgjia dhe Shqipëria janë shtete mike. Unë dhe Edi Rama jemi miq në aspektin personal dhe institucional, megjithëse nuk do të jem këshilltar i tij. Rama është një lider energjik dhe i fortë. Ai synon të realizojë reforma njësoj si në Gjeorgji kundër korrupsionit dhe krimit. Besoj se ai do të ketë sukses në një kohë të shkurtër siç ndodhi në Gjeorgji”,

shprehej në 4 shtator 2014 Saakshvili për mikun e tij Rama. Arsyeja e refuzimit të propozimit për këshilltar të kryeministrit shqiptar nuk u konfirmua asnjëherë, por, duket se “revolucioni i dinjitetit” në Ukrainë i tërhoqi më tepër interesin Saakashvilit. Ai u bë bashkëpunëtor i presidentit ukrainas Petro Poroshenko. Ndoshta, oferta ukrainase ka qenë më joshëse për Saakashvilin, megjithatë nuk dihet se si vazhduan në vitet e ardhshme marrëdhëniet me Edi Ramën. Që prej largimit nga Gjeorgjia në vitin 2013, jeta dhe karriera politike e Saakashvilit është një “aventurë” e vërtetë, ku çdo kapitull ka patur një fund të pakëndshëm për të.
Nga miti i reformatorit te “armiku i popullit” gjeorgjian

Në fund të vitit 2013, Mikheil Saakashvili u largua nga atdheu pasi pushteti i tij ra dhe opozita ishte betuar për ta ndëshkuar për dëmet e shkaktuara në vend gjatë 9 viteve si president. Duket se ai e ndjeu që do të përfundonte pas hekurave dhe u largua nga Gjeorgjia për të dhënë leksione si profesor në Boston të SHBA. Shteti amerikan dhe vende të Perëndimit e përkrahën Saakashvilin për të fituar dhe qëndruar në pushtet nga viti 2004-2013. Ai udhëhoqi “Revolucionin e Trëndafilave” në vitin 2003 që ia doli të rrëzonte nga pushteti presidentin e kohës Eduard Shevardnadze.

Drejtuesi i partisë “Ëndrra gjeorgjiane” u rreshtua krah Perëndimit duke mbështetur orientimin euroatlantik të Gjeorgjisë. Ai u vlerësua nga udhëheqësit e Perëndimit për reformat ekonomike pro-tregut të lirë, privatizimeve, reduktimit të korrupsionit, goditjes së burokracisë, aspiratave europiane, etj. Por, imazhi i tij si politikan reformator dhe karizmatik jashtë Gjeorgjisë rezultoi krejt ndryshe brenda vendit pasi opozita dhe media u përballën me të duke i kontestuar politikat dhe qeverisjen e tij si autoritare, të korruptuar dhe të dhunshme. Saakashvili u akuzua nga autoritetet gjeorgjiane në mars 2014 për vdekjen e ish-kryeministrit Zurab Zvania.

Ja “aventura e ish-presidentit gjeorgjian në Ukrainë
Pas largimit nga vendlindja në 2013, 54-vjeçari Saakashvili jetoi deri në momentin e arrestimit jashtë Gjeorgjisë. Ai u angazhua shpejt në Euromaidan, lëvizjet e dhunshme politike pro-demokratike kundër Viktor Janukoviçit, ish-presidentit ukrainas, i cili u rrëzua në shkurt 2014 për shkak se firmosi shkëputjen nga integrimi në NATO dhe BE për t’u afruar me Rusinë. Saakashvili u bë bashkëpunëtor i fortë i oligarkut Petro Poroshenko, i cili u zgjodh më pas president i Ukrainës. Në mënyrë të pazakontë, kreu i ri i shtetit ukrainas e pajisi ish-homologun gjeorgjian me nënshtetësi ukrainase, por nuk e kurseu bujarinë ndaj Saakashvilit duke e emëruar Guvernator të Odesës në Ukrainë.

Saakashvili dukej se po investohej fuqishëm politikisht në Ukrainë, aq sa në një sondazh të vitit 2015 nga organizata joqeveritare ukrainase “RATING”, ish-presidenti gjeorgjian ishte politikani më i preferuar në Ukrainë. Por, miqësia e tij me Poroshenkon u kthye në armiqësi brenda një viti. Saakashvili themeloi organizatën joqeveritare “Lëvizja për Pastrim” që synonte denoncimin e korrupsionit në Ukrainë. Në 7 nëntor 2016, pasi tentoi të krijonte një parti të re politike, Saakashvili dha dorëheqjen si Guvernator i Odesës duke akuzuar presidentin e kohës së Ukrainës se mbështeste klanet e korruptuara në Odesë dhe Ukrainë.

Poroshenko i hoqi nënshtetësinë ukrainase ish-presidentit gjeorgjian në 26 korrik 2017. Në Ukrainë, lëvizja e tij u konsiderua si goditje politike për shkak se Saakashvili u kthye në rival të fortë të 56-vjeçarit. Më pas, ai u largua drejt Polonisë dhe Lituanisë, por vazhdoi të nxiste protestat në Ukrainë kundër Poroshenkos. Në 8 dhjetor 2017, ai u kap nga Policia Kombëtare e Ukrainës pasi kishte hyrë ilegalisht brenda territorit ukrainas. Ai u akuzua si i sponsorizuar nga ish-presidenti i rrëzuar ukrainas, Viktor Janukoviç për të rimarrë pushtetin.

Por, Prokuroria e Kievit urdhëroi lirimin e tij dhe në 12 shkurt 2018, ai u depërtua në Poloni. Dy ditë më pas, Holanda lejoi qëndrimin e tij të përkohshëm. Megjithatë, zgjedhja e komedianit Volodymyr Zelensky si president i ri i Ukrainës realizoi kthimin e Saakashvilit në Ukrainë. Në maj 2019, Zelensky i dha shtetasit Mikheil Sakashvili nënshtetësinë ukrainase. Edhe pse kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitçko i ofroi Saakashvilit drejtimin e partisë së tij UDAR për të garuar në zgjedhjet parlamentare të 2019, ish-presidenti gjeorgjian refuzoi dhe krijoi forcën e tij politike “Lëvizja e Forcave të Reja”, por nuk siguroi asnjë mandat në parlament. Megjithatë, presidenti Zelensky e emëroi më pas Kryetar të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar të Reformës në 7 maj 2020.

Loading...