I arrestuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Policia thotë se mbahej nën survejim që prej vitit 2007.
29-vjeçari është me origjinë nga Kruja, i divorcuar dhe i proceduar me parë për dhunë në familje. Pas divorcit kujdestarinë e dy fëmijëve e fitoi ish-bashkëshortja, por vendimi i gjykatës nuk u zbatua. Mbi Ukën rëndon edhe akuza e stërvitjes për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët e Drejtorisë se Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit pas një hetimi dy vjeçar me metoda speciale të hetimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
E. U., 29 vjeç, lindur në Gjorm/Krujë dhe banues në Tiranë (i proceduar më parë për veprat penale të “Dhunës në familje” dhe “Pengim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”).
Ky shtetas në adresën e tij në Facebook ka publikuar dhe shpërndarë video e pamje filmike që nxisin dhe propagandojnë veprat penale me qëllime terroriste.
Gjatë kontrollit të banesës se tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi fishekësh luftarak.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprat penale të “Stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
(BalkanWeb)