Autoritetet amerikane kanë arrestuar një shtetas shqiptar, i cili akuzohet se ka kërcënuar me vrasje oficerët përpara Paradës së Shën Patrikut në Yonkers të Nju Jorkut. Bëhet fjalë për shtetasin Ridon Kola, 32 vjeç i cili akuzohet se ka kanosur me vdekje efektivët dhe kryebashkiakun e pranishëm në paradë.
“Kjo është ajo që terroristët duan të bëjnë. Ata duan të terrorizojnë mendimet tuaja dhe t’ju bëjnë të frikësoheni, ” tha kryebashkiaku Mike Spano.
Një hetim zbuloi kërcënime shqetësuese të Kolës në rrjetet sociale. Sipas mediave amerikane, Kola dyshohet se ka shprehur mbështetje për ISIS-in dhe ekstremizmin radikal islamik.
FBI thotë se ai i dërgoi një mesazh direkt Departamentit të Policisë së Yonkers, ku thuhej: “Unë do të kaloj policët e Yonkers dhe shefat e tyre përgjatë rrugës McLean. Do të jetë një skenë tmerri… Allahu Akbarr.”
32-vjeçari jeton pranë rrugës ku zhvillohet parada. Ai është marrë në pyetje edhe nga autoritetet në të kaluarën për këto mesazhe. Por këtë herë, Task Forca kundër Terrorizmit e FBI-së dhe NYPD e vunë atë në pranga.