Artan Hoxha: Mund të ketë pasur konfrontim fizik mes Klodian Rashës dhe policit

Vijojnë ende të publikohen detaje të pazbardhura nga vrasja e të riut Klodian Rasha, në Laprakë, nga një efektiv i forcave “Shqiponja”.

Ndërsa Prokuroria vijon hetimet mbi ngjarjen, në media publikohen elementë të veçuar që synojnë të hedhin dritë mbi çfarë ka ndodhur atë mbrëmje.
Gazetari Artan Hoxha është shprehur se ka dyshime të forta që mund të ketë patur konfrontim fizik mes viktimës dhe efektivit të policisë.
Sipas gazetarit, viktima Klodian Rasha kishte patur dëmtime në fytyrë, pjesën e ballit, hundës dhe pjesën e pasme të kokës

“Ka dyshime që mund të ketë pasur konfrontim fizik. Viktima ka një dëmtim të madh në pjesën e pasme të kokës, në pjesën e kockës së hundës dhe ballit dhe të fytyrës.

Ajo që është fakt është se viktima e ka plumbin nga mbrapa. Distanca është 6 ose 7 metra sepse nuk mund të kesh shënjestër nga një distancë më e madhe.

Arma është gjetur në distancë nga vendi i ngjarjes. Vërtetësia do të dalë nga ekspertiza. Më duket e çuditshme që nëse viktima do të kishte pasur armë pse duhet ta kishte hedhur aq larg.

Policia jonë e ka traditë që nuk qëllon me armë. Policia jonë është treguar më tepër tolerante, ka vepruar ndryshe nga vendet e tjera”, thotë gazetari.

Ndërkohë kujtojmë së vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pak ditë më parë efektivi i policisë është njohur me masën arrest me burg, ndërkohë që është shfaqur i penduar dhe u ka kërkuar ndjesë publike familjes Rasha.

Loading...